Qeset plastike, nga 1 korriku nis monitorimi i rreptë, bëhuni gati për gjoba

schedule19:24 - 15 Qershor, 2022

schedule 19:24 - 15 Qershor, 2022

Qeset plastike një përdorimshe, paralajmëron Kumbaro: Pas ndërgjegjësimit, nga 1 korriku nisin kontrollet dhe gjobat!

Ashtu sikurse katër vite më parë kur Ministria e Turizmit pas një fushate sensibilizuese u tha “JO” qeseve plastike, edhe këtë herë, vendimi për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të tyre duket një flluskë sapuni

Nga 1 qershori është ndaluar përdorimi i qeseve plastike.  Më 1 korrik grupet inspektuese nisin monitorimin e rreptë për zbatimin e ligjit që ndalon prodhimin, importimin dhe tregtimin e qeseve plastike një përdorimshe.

Me përfaqësues të prodhuesve të qeseve plastike, të shoqatës Bashkimi Tregtar i Shqipërisë dhe trupat inspektuese për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe. Me ligjin që ka hyrë në fuqi kemi vijuar informimet dhe ndërgjegjësimet, por prej 1 korrikut nisim monitorimin e rreptë përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Inspektoratit të Tregut dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Qeset e reja që gjenden në supermarkete janë shumë përdorimshe, ato lejohen të tregtohen e megjithatë asnjë nuk është i detyruar t’i blejë.

Përdorni çantat, trajset, torbat dhe çdo mjet tjetër transporti miqësor me mjedisin. Mbledhjet do t’i kemi periodike me grupet e interesit për të dëgjuar shqetësimet që vijnë nga terreni e për t’i informuar në lidhje me masat e ndërmarra nga institucionet, me të vetmin qëllim: Zbatimin e ligjit që ndalon qeset e lehta një përdorimshe të cilat ishin kthyer në gangrenë për mjedisin në Shqipëri, e për fqinjët tanë po ashtu”, shkruan ministrja.

Kumbaro është shprehur se qytetarët nuk detyrohen të blejnë qeset me parametrat e rinj, madje kjo duhet të shërbejë si një nxitje për t’i orientuar drejt çantave shumëpërdorimshe dhe trajsave.

“Ligji është miratuar në datën 17 mars në parlament dhe qëllimisht hyri në fuqi në 1 qershor për t’u lënë kohë subjekteve që të informohen dhe të marrin masat. Gjatë gjithë kësaj periudhe grupet tona kanë qenë në terren për të informuar dyqanet, supermarketet, tregjet për këtë nismë ligjore. Në këto ditë të para nuk ka qenë qëllim gjobitja, por informimi dhe sensibilizimi. Prej 1 korrikut, grupet inspektuese nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importuesit, nga Inspektorati i Tregjeve për tregtuesit dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për prodhuesit, do të jenë të rreptë duke aplikuar kontrolle dhe gjobat sipas parashikimeve ligjore për këdo që shkel ligjin. Qeset sipas standardit të ri janë shumë përdorimshe, por përtej kësaj qytetarët nuk janë të detyruar aspak t’i blejnë. Inkurajojmë shumë çantat shumë përdorimshe, trajsat dhe çdo mjet tjetër transporti miqësor me mjedisin”, ka thënë ministrja Mirela Kumbaro.

Qeset që ndalohen janë ato një përdorimshe mbajtëse, me trashësi më të vogël se 70 mikron dhe kapacitet më pak se 10 kilogramë. Sipas ndryshimeve ligjore, importimi, prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve që nuk plotësojnë standardet e reja dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1,500,000 lekë. Ndërkaq si masë do jetë sekuestrimi i qeseve dhe deri në heqje të licencës së aktivitetit.

Shqipëria përdor mesatarisht 3,2 miliardë qese plastike në vit, një pjesë e madhe e të cilave përfundojnë në lumenj dhe në det, duke u bërë ndër ndotësit kryesorë të mjedisit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!