“Qëndroj me këmbë në tokë”, Haaland: Zëvendësuesi i Benzema? Më vjen të qesh!

schedule20:53 - 24 Gusht, 2022

schedule 20:53 - 24 Gusht, 2022

Ish-sulmuesi i Borussia Dortmund, Erling Haaland zgjodhi Premier Leaguen për të vazhduar karrierën e tij futbollistike, teksa preferoi të vihet nën urdhrat e Pep Guardiolës te Manchester City.

Padiskutim kjo ishte një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje, edhe pse shpesh ishte përfolur për një kalim të mundshëm në “Santiago Bernabeu”.

Edhe tani që 22-vjeçari ka veshur fanellën e citizenëve përflitet se në 2 vitet e ardhshme mund te jetë zëvendësuesi i Karim Benzema te Real Madrid.

Në një intervistë të fundit, Haaland thekson se nuk ia vë veshin kritikave ndërsa shton se i vjen për të qeshur kur e cilësojnë si zëvendësuesin e Benzema te Real Madrid.

“Unë nuk merrem me kritikat, kur jam në fushë mendoj të stërvitem dhe të bëj më të mirën. Më pas shkoj në shtëpi të pushoj dhe shkëputem nga të gjithë lajmet. Ana ime psikologjike është shumë e rëndësishme dhe duhet të kujdesem për të. Unë punoj me trajnerin për ekipin dhe kjo është e gjithë detyra ime.

Guardiola? Nuk kishte nevojë të më fliste shumë për të më bindur të kaloja te City. Ai është një trajner special dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Të gjithë e dimë mirë se çfarë ka bërë ai për klubet e tija, por edhe për lojtarët dhe futbollin në përgjithësi. Dhe unë dua të jem pjesë e kësaj, mendoj se mund të argëtohemi shumë të dy.

Fama? E di që në rrugë nuk jam një person në dukje normal, jam i gjatë dhe me flokë blondë të gjatë. Të gjithë më shohin, por nuk ankohem, babai im që ka luajtur futboll më ndihmon shumë të qëndroj me këmbë në tokë. Unë gjithnjë do ta mbaj mend se nga vij dhe nuk do të ndryshoj.

Unë si zëvendësues i Benzema? Këto thashetheme ndodhin në botën e futbollit. Më vjen për të qeshur, unë nuk mendoj shumë për këto. Unë dua të jem i përqëndruar te fusha dhe nëse do merresha me fjalë të tilla, atëherë nuk do të isha i fokusuar te detyra ime”, u shpreh Haaland. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!