Fatkeqësitë dhe hallet e jetës e kanë detyruar të vishet në të zeza por kjo nuk e ka penguar të punojë e qëndis kostume popullore plot ngjyra.
Lumturi Malaj po u afrohet të shtatëdhjetave dhe ende e gjen me pe e gjilpërë në duar. Prej 40 vitesh iu është përkushtuar veshjeve të traditës së Lazaratit. Thotë se nuk ka si kostumet e zonës së saj.
Jeleket e fustanet qëndisen me dorë. Për të realizuar një veshje nevojiten muaj. Vitet e fundit tregon se ka interes të shtuar për kostumet e Lazaratit. Nuk dëshirohen vetëm nga shqiptarët por edhe të huajt. Kostumet e Lumturisë janë veshur nga artistë në dhjetëra festivale por asaj i ka munguar vlerësimi.
Sa të ketë jetë nuk do i ndahet pasionit të saj megjithatë çdo ditë e mundon një merak i madh. Teksa të rinjtë rendin drejt profesioneve të reja duke refuzuar të trashëgojnë zanatet e të shkuarës për fat të mirë ka ende zonja, si Lumturia që vijojnë të mbajnë gjallë traditën./abcnews.al/