Qendër për trajtimin dhe diagnostikimin e dhimbjes së kokës, për herë të parë në spitalin “Amerikan 3”

schedule13:59 - 21 Shtator, 2020

schedule 13:59 - 21 Shtator, 2020

Një ditë e ngarkuar apo qëndrimi i gabuar në kompjuter mund të bëhen shkak që t’ju nisë dhimbja e kokës.

Por nëse ajo është intensive dhe kthehet në kronike, mjekët këshillojnë të mos e neglizhoni një konsultë me specialistin.

Në Spitalin “Amerikan 3” në Tiranë ka nisur të funksionojë një qendër e posaçme për trajtimin e dhimbjes së kokës.

Mjeku italian me përvojë më shumë se 30 vjeçare në diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve të tilla, Profesor Doktor Fabio Antonaci, tregon veçoritë e kësaj qendre.

“Në këtë qendër mund të trajtohen të gjithë format e dhimbjes së kokës;  ato intensive, me origjinë nga qafa, migrena e të tjera. Spitali “Amerikan 3” ofron mundësinë për të diferencuar shkakun e dhimbjes dhe për tu trajtuar nga specialisti i fushës, kardiologu, neurokirurgu, ortopedi, pasi dhimbja e kokës mund të vijë nga shumë faktorë, si për shembull depresioni, hipertensioni”, shprehet ai.

Autori i më shumë se 220 botimeve në fushat e dhembjes së kokës e nevralgjisë së fytyrës, doktor Antonaci, tregon se kjo qendër i jep mundësi pacientit të kontaktojë me mjekun edhe pas vendosjes së diagnozës.

“Pacientët mund të paraqiten në Spitalin “Amerikan 3”, të prenotojnë konsultën dhe të marrin informacion se çfarë duhet të bëjnë para se ti nënshtrohen vizitës. Pacienti ka mundësi të kontaktojë me mjekun dhe pas vendosjes së diagnozës. Në rastet kur ka një problem, një mjekim nuk i ka bërë mirë ai mund të kontaktojë me specialistin përmes një “e-maili”. Në këto raste mjeku ka të gjithë të dhënat e pacientit dhe mund ti japë këshillën e duhur”, sqaron më tej mjeku.

Qendra të tilla për trajtimin e dhembjes se kokës në Itali, janë pjesë e disa spitaleve, ndërsa në Shqipëri, një praktikë e tillë vjen për herë të parë në Spitalin “Amerikan 3”, në Tiranë./abcnews.al/