Qëlloi me armë zjarri drejt uniformave blu, policia e Kosovës vret një person në Prizren

schedule21:42 - 22 Shtator, 2020

schedule 21:42 - 22 Shtator, 2020

Policia e Kosovës ka vrarë një person mbrëmjen e sotme i cili akuzohej për vrasje të mbetur në tentativë, për të cilën i ishte prerë një urdhër-arrest.

Personi i dyshuar qëlloi me armë zjarri në drejtim të policisë, të cilët janë vetëmbrojtur duke qëlluar ndaj tij. Nga shkëmbimi i zjarrit, ai nuk ka mundur të mbijetojë pavarësisht se është dërguar për trajtim mjekësor.

“Policia e Kosovës, njësiti policor i Drejtorisë Rajonale në Prizren derisa ishte në realizim të detyrave policore, sot në orët e mbrëmjes në lagjen e trimave në Prizren ka hasur në personin e dyshuar (B.Sh. me pseudonimin “qorri”), i cili ishte në kërkim me urdhërarrest për vepër penale ” Tentim Vrasje”.

Personi i dyshuar në momentin kur ka vërejtur njësitin policor, ka filluar të shtiej me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar t’i kundërpërgjigjen personit të dyshuar me armë zjarri, të cilët janë mbështetur edhe nga njësitet speciale të PK-së Nga shkëmbimi i armëve të zjarrit është plagosur personi i dyshuar, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore. Nga mjekët kompetent është konfirmuar se personi i dyshuar nga plagët e marra ka ndërruar jetë.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se personi i dyshuar ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë si dhe dy granata dore. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, pavarësisht se në ç’farë situte mund të ndodhet, me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe parandalimit të krimit”, njofton policia e Kosovës. /mv. abcnews.al