Një ish-oficer policie në Filadelfia është akuzuar për vrasje pasi qëlloi për vdekje një djalë 12-vjeçar gjatë një ndjekjeje kaotike në fillim të marsit.
Autoritetet thonë se Edsaul Mendoza, 26 vjeç, u angazhua në një ndjekje “taktikisht të pasigurt” të Thomas “TJ” Siderio dhe e qëlloi atë pavarësisht se e dinte se ai ishte i paarmatosur.
Mendoza u arrestua të dielën.
Sipas fakteve të prezantuar nga Prokurori i Qrkut të Filadelfias, Mendoza ishte pjesë e një grupi prej 4 oficerësh me rroba civile që u përballën me Thomas dhe mikun e tij 17-vjeçar të identifikuar në dokumentet e Gjykatës si N.K.
Oficerët besonin se N.K ishte nën hetim për vjedhjen e një arme zjarri.
Kur ata u përpoqën të ndalonin djemtë, “një e shtënë arme” theu xham të pasmë të një makine.
Kur djemtë u përpoqën të iknin, Mendoza e ndoqi Thomasin dhe qëlloi tre herë drejt tij.
Thomas kishte ndaluar së vrapuari kur u qëllua për herë të tretë.
“Kështu, kur Mendoza qëlloi për herë të tretë, e cila ishte dhe goditja fatale, ai e dinte se 12-vjeçari nuk kishte armë dhe nuk kishte aftësi për ta dëmtuar atë”, tha Prokurori i Qarkut të Filadelfias, Larry Krasner.
“Por ai qëlloi me një plumb në shpinë megjithatë, duke e vrarë atë.”
Mendoza u shkarkua nga posti menjëherë pas incidentit dhe komisioneri i policisë tha se politikat e përdorimit të forcës të departamentit ishin shkelur.
Mendoza ndodhet në paraburgim dhe seanca paraprake është caktuar më 16 maj./abcnews.al/