Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Ahsan Iqbal, është plagosur me armë zjarri.
Sipas mediave lokale, ai u qëllua në rajonin lindor të provincës Punjab. Ndërsa ministri i Federatës, Talal Chaudhry, thotë se Iqbal u plagos në shpatull në një miting elektoral.
Politikani është jashtë rrezikut për jetën.
“Ai po mjekohet në spitalin e Narowal. Është i ndërgjegjshëm dhe jashtë rrezikur për jetën”, ka thënë për mediat lokale djali i tij Ahmad.
Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar një të dyshuar si dhe po hetojnë për të zbuluar arsyet se pse u sulmua ministri i Brendshëm.
Kryeministri i vendit, Shahid Khaqan Abbasi, ka dënuar ngjarjen dhe ka kërkuar hetime të menjëhershme nga policia.
Iqbal është udhëheqësi i Ligës Pakistaneze Myslimane (Nawaz). Zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen më 15 Korrik do të zgjedhin Asamblenë Kombëtare të Pakistanit.