Qëllohet me armë zjarri në drejtim të një automjeti në Fushë Kuqe. ABC News mëson se është qëlluar në drejtim të makinës së ish deputetit të PS-së, Armando Prenga. Ka qenë vetë ish deputeti që ka njoftuar policinë për ngjarjen. Ndërkohë 29 vjeçari që qëlloi është shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Shtetasi A. P., 49 vjeç, ka njofuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Kurbin se në Fushë Kuqe, ndërkohë që qarkullonte me automjet, shtetasi F. I., 29 vjeç, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit F. I., i cili është shpallur në kërkim, bashkë me automjetin tip “Benz” me të cilin është larguar.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti./abcnews.al