Që NATO të mbijetojë, Perëndimi duhet ta zhvendosë fokusin drejt Lindjes

schedule16:52 - 30 Qershor, 2022

schedule 16:52 - 30 Qershor, 2022

Nga Hal Brands “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Udhëheqësit e vendeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, ndodhen në Madrid për samitin më të rëndësishëm të aleancës në një gjeneratë. NATO duket se ka kapërcyer shantazhin diplomatik të Turqisë në lidhje me zgjerimin me 2 anëtarë të rinj, Suedinë dhe Finlandën.

Aleanca duhet të miratojë një koncept të ri mbi sigurinë transatlantike, pikërisht në mesin e sulmit të vazhdueshëm ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Por NATO dhe SHBA-ja, do të përballen me një realitet të pakëndshëm: Edhe nëse lufta në Ukrainë do ta dëmtojë rëndë Rusinë, NATO do të ketë nevojë për një prani më të fortë në Evropën Lindore, sesa kishte para konfliktit.

Që nga pushtimi fillestar i Rusisë në Ukrainë në vitin 2014, aleanca ka pasur një strategji këmbëngulëse për mbrojtjen e anëtarëve të saj më lindorë. NATO dërgoi mijëra trupa në Poloni dhe shtetet baltike. Por zgjodhi që t’i zhvendoste vazhdimisht, në vend se t’i staciononte atje përgjithmonë, pjesërisht për shkak të kostos dhe pjesërisht për hir të respektimit të një marrëveshjeje të vitit 1997 me Rusinë, të cilën Moska e kishte shkelur tashmë.

Një forcë ushtarake aq modeste në numër dhe armatime nuk mund të përballonte një sulm të madh rus. Por ajo do të sillte vrasjen në betejë të trupave të SHBA-së dhe vendeve të tjera të NATO-s, duke shkaktuar kësisoj një kundërpërgjigje më të madhe dhe më vendimtare nga ana e Perëndimit.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt, Pentagoni ka dërguar forca shtesë në Evropën Lindore. Aktualisht SHBA ka afro 10.000 trupa në Poloni, 2.500 në Rumani dhe 2.000 në shtetet baltike. Po ashtu është përforcuar edhe kontigjenti më i madhi trupave amerikane në Gjermani, që tani ka në total rreth 40.000 trupa dhe personel.

Synimi ishte të sigurohej që Rusia, me gjasë e inkurajuar nga ajo që shumë analistë mendonin se do të ishte një nënshtrim i lehtë i Ukrainës, të mos tundohej të zgjeronte agresionin e saj edhe në territorin e NATO-s. Por trupat ruse ngecën që në fillim, duke pësuar humbje të mëdha në trupat e këmbësorisë, pajisje të blinduara dhe armatime të tjera.

Problemet e mëdha operacionale nga ana e Kremlinit, ngritën ndërkohë pikëpyetje se sa lart duhet të vlerësohen trupat që luftojnë ende në Ukrainë. Gabimet e Rusisë kanë bërë që disa anëtarë të NATO-s, si për shembull Franca dhe Italia, të thonë se tashmë është e panevojshme një prani më e madhe në vijën e parë të frontit në Lindje.

Dhe teksa vendet evropiane po rrisin shpenzimet e tyre në mbrojtje, po dëgjohen gjithashtu zëra se SHBA duhet t’ua lërë evropianëve çdo masë sigurie shtesë në Evropë, dhe në vend të kësaj të fokusohet sikurse edhe kishte planifikuar në sfidën e Kinës në Azi. Por këto janë ide të këqija.

Rezultati i luftës në Ukrainë është ende në dyshim, dhe kjo për shkak të arritjeve të dukshme të Moskës muajt e fundit në lindje dhe jug, dhe për shkak të humbjeve të mëdha që kanë pësuar forcat e armatosura ukrainase.

Rusia mund të arrijë ende një synim minimalist për të pushtuar pjesën më të madhe të rajonit të Donbasit, dhe krijimin e një “ure tokësore” për në Krime. Në një mënyrë a tjetrën, presidenti Vladimir Putin ka treguar se mund të shkaktojë dëme të tmerrshme edhe me një ushtri të dobësuar shumë.

Ndërkaq, analistët e mirë-informuar kanë paralajmëruar se Rusia mund të bëjë më mirë në

rastin e një konflikti me NATO-n. Pasi ajo i ka trajnuar dhe motivuar më shumë forcat e saj për të luftuar pikërisht me këtë aleancë, sesa ndaj Ukrainës.

Për më tepër, konflikti aktual na ka kujtuar se ne, në realitet nuk e dimë se çfarë ka në mendje Putin. Për vite me radhë, veprimet e tij kanë kapur në befasi edhe vëzhguesit më të zgjuar të Kremlinit. Më e rëndësishmja, Ukraina ka treguar se në Evropën Lindore nuk mjafton vetëm një mbrojtje me disa batalione pararojë.

Kjo qasje e vjetër, kërkon që shtetet e vijës së parë të frontit të mbikëqyrin pjesë kyçe të territorit të tyre të pushtuar, dhe më pas të presin me durim për çlirimin e tyre. Ky ka qenë gjithmonë një skenar i keq, pasi mund t’i japë mundësi Rusisë të gllabërojë një pjesë të territorit dhe më pas të përdorë kërcënimet bërthamore për ta penguar ndërhyrjen e NATO-s.

Kjo strategji duket tani edhe më e shëmtuar, pasi bota e di saktësisht se çfarë krimesh po kryejnë forcat ruse: përdhunime, vrasje, tortura dhe abuzime të tjera të tmerrshme. Problemi me një strategji të tillë, deklaroi javën e kaluar kryeministrja estoneze Kaja Kallas, është se të sulmohesh nga Rusia nënkupton “shkatërrimin e plotë të vendeve dhe kulturës sonë”. Pavarësisht gjithë diskutimeve në lidhje me mbrojtjen e zgjeruar evropiane, nuk ka asnjë alternativë më të mirë sesa marrja e iniciativës nga SHBA. Lufta e Ukrainës ka qenë një leksion shembullor për vlerën që vazhdon të ketë lidershipi amerikan.

Në muajt para 24 shkurtit, Uashingtoni paralajmëroi në mënyrë të përsëritur, në bazë të aftësive të tij të pakrahasueshme të shërbimeve sekrete, se Vladimir Putini ishte serioz për pushtimin që synonte të kryente. Megjithatë shumë udhëheqës evropianë ishin mosbesues.

Nëse SHBA do të vendoste se Evropa tani mund të kujdeset për veten, rezultati do të ishte një NATO më e dobët e përçarë nga mosmarrëveshjet midis shteteve të vijës së parë që me të drejtë i frikësohen Putinit dhe shteteve të Evropës Perëndimore, si Franca, që ende shpreson për njëfarë akomodimi diplomatik.

Dhe këtu nuk po flasim për nivelet e angazhimit ushtarak të SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo do të përfshinte stacionimin e përhershëm të ndoshta 15.000-20.000 trupave amerikane shtesë në Evropën Lindore dhe Baltik, me shtesa proporcionale edhe nga vendet e tjera të NATO-s. Polonia dhe shtetet e tjera të vijës së parë të frontit, duhet të mbulojnë kostot e bazave të përhershme të trupave të NATO-s atje. Dhe në fakt, ato kanë rënë tashmë dakord që ta

bëjnë këtë. Po ashtu NATO do të ketë nevojë, dhe ka sinjalizuar se do të zhvillojë aftësi të përmirësuara të reagimit të shpejtë, në mënyrë që forca të mëdha në numër të mund të pozicionohen me shpejtësi në terren në rastin e një krize.

I gjithë thelbi është krijimi i një aftësie, e cila të ketë një shans serioz për ta penguar një sulm fillestar rus, derisa të mund të arrijnë trupat e armatosura rëndë dhe t’i mposhtin pushtuesit. Pra një lloj mbrojtjeje efektive që e forcon parandalimin, dhe që e bën të vështirë të imagjinohet që agresioni mund të ketë sukses.

Pas 30 vitesh përqendrimi tek operacionet “jashtë zonës” si Afganistani dhe kundër piraterisë në bregun e Afrikës, NATO po e ri-zbulon identitetin e saj si një aleancë e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive. Samiti i liderëve në Madrid, duhet të sigurojë që ajo të ketë forcën e duhur në Evropën Lindore për ta realizuar siç duhet këtë mision vendimtar.

Shënim:Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Xhon Hopkins, SHBA.