Romina Milagros Rodriguez, kuzhinierja e legjendës Diego Armando Maradona, ka bërë një rrëfim në emisionin “Los Escandalones” në America TV dhe thekson se ata që e rrethonin “El Pibe D’oro” po e çmendnin atë.
“Për mua ai ishte i lodhur nga gjithçka. Nëse duam t’i themi gjerat siç janë, ai bëri mrekulli. Por ishte i lodhur nga gjithçka. Donte të ishte vetëm, të pushonte dhe të ndjehej rehat. Ai tha mjaft, njerëzit përreth po e çmendnin.
Me Diegon ishte gjithmonë personeli i sigurisë, një nip i tij dhe unë. Pastaj vinte sekretari dhe ndonjëherë një fizioterapist. Jam e indinjuar që të gjithë thonin se ishin miqtë e tij. Shumë flasin, por askush nuk ka qenë atje. Ata po qanin në funeral, por e gjitha ishte një gënjeshtër”, ka treguar Rodriguez.
“Hera e fundit që fola me të ishte mbrëmjen e 24 nëntorit, një natë para vdekjes së tij. E pyeta atë nëse donte të hante diçka dhe më tha jo. Më pas i thashë që i kisha bërë disa sandviçë dhe çaj”, deklaron kuzhinierja. /abcnews.al