Pyeten në Hagë, Haradinaj mbrohet në heshtje. Krasniqi nuk flet

schedule13:00 - 24 Korrik, 2019

schedule 13:00 - 24 Korrik, 2019

Kanë përfunduar intervistimet në Gjykatën Speciale në Hagë Kryeministri në dorëheqje  Ramush Haradinaj dhe ish zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi.

Ramush Haradinaj ka zgjedhur heshtjen për tu mbrojtur , duke mos iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve të dhomave të specializuara në Hagë.

Haradinaj pas intervistimit tha se nuk ia lejon këshilla ligjore që të tregojë se për çfarë konkretisht është pyetur derisa ende nuk e di rolin e tij për çfarë është ftuar si i dyshuar.

“Kam pranuar këshillën ligjore që të mos i përgjigjem pyetjeve. Me këtë kam përfunduar detyrimet ligjore ndaj Gjykatës, nuk kam detyrime të tjera. Kjo është gjithçka që mund të them sot. Nuk ka një material, apo përmbajtje, se për çfarë bëhet fjalë dhe këshilla ligjore ka qenë që të mos hyj në diskutime tjera por të mbrohem në heshtje. Nuk e di për çfarë jam ftuar, kam kërkuar shpjegime, për rolin tim në UÇK po, por jo diçka konkrete”.

Për momentin prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë detyrim tjetër ndaj Haradinaj ndërsa ky i fundit u shpreh se do të kthehej në Kosovë.

Haradinaj tha se dorëheqja e tij është një ndërhyrje e madhe për Kosovën.

“Është një ndërhyrje e madhe për Kosovën. Jemi detyruar në momentet kur është dashur të ruhet vëmendja në gjëra të tjera, që të japim dorëheqjen. Për fat të mirë në Kosovë ka qëndrueshmëri dhe është respektuar ligji dhe Kushtetuta. Partitë politike garojnë, nëse populli me jep besim e vazhdoj punën nëse jo u uroj fat të tjerëve”.

Intervistimin sot në Hagë e përfundoi edhe ish zëdhënësi i UCK-së Jakup Krasniqi. Ai nuk ka dashur të japë detaje për mediat se në çfarë cilësie është ftuar por vetëm ka thënë se e ka kryer detyrimin e tij ligjor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!