Kryeministri Edi Rama ditën e sotme në një konferencë për gazetarët është ndalur tek krimi makabër i ndodhur në Fier, ku një fëmijë 8-vjeç, u vra me lopatë dhe më pas u gropos me baltë.
Për kryeministrin autori barbar i këtij krimi duhet të marrë dënimin më të rëndë që parashikon legjislacioni. Ndërkohë i pyetur nëse duhet të ketë ndryshime në legjislacion për këto raste, Rama nuk e ka mohuar një gjë të tillë, por sipas kreut të qeverisë sfida është që të ngrihen trupat gjykuese në nivelin e legjislacionit.
Rama hodhi akuza ndaj trupa gjykues të papërgjegjshëm duke thënë se ka pasur raste ku persona që kanë kryer krime, që në mos vrasje, dhunë ndaj grave, janë lënë të lirë ose janë dënuar minimalisht.
“Fatkeqësi për ne në shumë vite është papërgjegjshmëria e trupave gjykues në raport me individë që kanë kryer krime deri në ekstreme. Edhe krime që në mos në vrasje kanë rezultuar në përdhunime në dhunë ndaj grave dhe që janë lënë të lirë në sallën e gjyqit dhe kanë marrë dënime shumë herë më të ulëta sa parashikohet nga legjislacioni dhe pastaj i kanë përsëritur ato duke shkaktuar dhimbje dhe plagë të evitueshme. Mundësitë për të rishikuar legjislacionin është gjithmonë, por këtu sfida është ngritja e trupave gjykues në nivelin e legjislacionit. Kemi legjislacion të mirë.” tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme po kryhet një studim që do të publikohet së shpejti, lidhur me rastet e përsëritura të gjyqtarëve duke dhënë dënime të ulëta apo që në shumë raste edhe i kanë lënë të lirë kriminelët.
“Në nivelin e legjislacionit. E kemi standard dhe të mirë të shoqërive demokratike. Sfida nuk është të shkruajmë më shumë ligje por të zbatojmë ligje. Kemi një studim në dorë më Ministrinë e Brendshme për të gjithë rastet përsëritëse. Do e bëjmë publike së shpejti. Kemi një numër përsëritësish në vite, që janë flagrante deri në ekstrem në aspektin e papërgjegjshmërisë së trupave gjykues. Por reflektojmë për një ndërhyrje.” tha Rama.
Sipas Ramës, qeveria po reflekton për një ndërhyrje në legjislacion nëse do të jetë e nevojshme. Bëhet fjalë për kriminelët përsëritësh. Kjo sipas tij nuk lidhet me rastin e ndodhur së fundmi, por është një punë prej disa kohësh.
“Jemi duke reflektuar për një ndërhyrje në legjislacion dhe nuk është vetëm për rastin konkrete. Do e përfshijmë në konsultimin Kombëtar, ku do pyesim popullin për një sër çështjesh për të marrë një opinion të gjerë përtej partive duke dëshiruar të hedhim disa hapa. Nuk mund tju them konkretisht sot, se jemi duke i formuluar pyetjet për qytetarët por në këtë aspekt. Kam parë me vëmendje atë që ka referuar policia dhe profilin e autorit. Nuk është rasti tipik i përsëritësve të liruar pa përgjegjshmërisht, sepse shumë vite më parë autori, është ndaluar për heqje të paligjshme të lirës së një personi. Ai e ka kryer dënimin për këtë. Pjesa e dënimit ha diskutim por ka kryer disa vite dënim. Është tragjike por siç e thash këto janë ngjarje ekstreme që nuk janë evituar në asnjë vend të botës.” tha Rama./abcnews.al/