Putini është në një situatë tmerrësisht të dëshpëruar

schedule14:46 - 22 Shtator, 2022

schedule 14:46 - 22 Shtator, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

A planifikon Rusia t’i shpallë një luftë formale Ukrainës dhe të mobilizojë plotësisht rezervat e saj?

“Për momentin, jo”, tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, më 13 shtator, ditë pasi ushtria ruse u tërhoq nga provinca Kharkiv.

“Nuk ka asnjë diskutim për këtë.” Megjithatë, në një fjalim televiziv drejtuar kombit një javë më vonë Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, deklaroi një mobilizim të pjesshëm të rusëve me përvojë ushtarake.

Sergei Shoigu, ministri i tij i mbrojtjes, tha se urdhri, i cili hyri në fuqi menjëherë, do të përfshinte 300,000 rezervistë. Duma, parlamenti i Rusisë, amendoi kodin penal të vendit për të ashpërsuar dënimet ndaj ushtarëve që dorëzohen, plaçkitin ose nuk i binden urdhrave, raporton abcnews.al.

Ligji i ri specifikon “mobilizimin, ligjin ushtarak dhe kohën e luftës” si kushte. Ligji përfshin rritjen e dënimeve për ushtarët që braktisin njësitë e tyre gjatë periudhave të tilla dhe vendos dënime të reja për rezervistët që nuk i përgjigjen thirrjes.

Ligji u ndryshua dukshëm në pritje të deklaratës së Putin. Putin e ka cilësuar sulmin e tij ndaj Ukrainës një “operacion special ushtarak”. Çdo rus i zakonshëm që e quan luftë rrezikon vite burg. Pa një deklaratë zyrtare të luftës, Putin nuk mund të mbajë ligjërisht rekrutët në ushtri përtej afatit të shërbimit ose t’i dërgojë ata në Ukrainë (nëse nuk kanë katër muaj trajnim).

Rezultati ka qenë një mungesë serioze e fuqisë punëtore, duke e detyruar ushtrinë ruse të mbështetet te mercenarët, të burgosurit dhe rekrutët nga territori i pushtuar ukrainas.

Në të njëjtën ditë me këtë sinjal legjislativ, zyrtarë nga Republikat Popullore të Luhanskut dhe Donetskut (lnr dhe dnr), një regjim kukull në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas, thanë se ata planifikonin të mbanin referendume midis 23 dhe 27 shtatorit për tu bashkuar me Rusinë, raporton abcnews.al.

Zyrtarët në Kherson dhe Zaporizhia, dy provinca të pushtuara në jug, thanë se do të ndiqnin të njejtin shembull. Me fjalë të tjera, ata po planifikojnë zgjedhje të manipuluara për të lejuar Rusinë të aneksojë në mënyrë të paligjshme më shumë territore të Ukrainës.

Rusia i njohu dy republikat e Donbasit si shtete të pavarura disa ditë përpara nisjes së luftës së saj në shkurt. Në atë kohë Sergei Naryshkin, kreu i svr, agjencia e inteligjencës së jashtme ruse, tha se ai favorizonte aneksimin e të dy territoreve.

Kremlini u ndal nga ndërmarrja e këtij hapi; në të vërtetë  Naryshkin u qortua publikisht për sugjerimin e tij. Por në fjalimin e tij televiziv, Putin shprehu mbështetjen për katër votat e falsifikuara. “Ne nuk kemi asnjë të drejtë morale të dorëzojmë njerëzit e afërt me ne për t’u bërë copë-copë nga xhelatët,” tha ai. “Ne nuk mund të mos i përgjigjemi dëshirës së tyre të sinqertë për të përcaktuar vetë fatin e tyre.”

Në këtë mënyrë, referendumet do të ishin kryesisht të pakuptimta. Në Zaporizhia, Rusia nuk kontrollon as kryeqytetin e provincës. Edhe pse zë pjesën më të madhe të provincës së Luhanskut – tani për tani ajo pëfshin vetëm në një pjesë të Donetskut.

Për më tepër, ofensiva e Ukrainës në Kharkiv e ka dobësuar rëndë pozicionin ushtarak të Rusisë në këtë rajon. Humbja e Izyum, një qendër transporti dhe bazë, e ka bërë më të vështirë për ushtrinë ruse përparimin në Donetsk.

Rusia rrezikon të humbasë edhe pozicionet e saj në Luhansk. Më 19 shtator, ushtria e Ukrainës pushtoi Bilohorivka në Luhansk, e cila shtrihet 15-20 km në perëndim të Lysychansk dhe Severodonetsk, qytete në provincën që Rusia pushtoi, me kosto të mëdha dhe me bujë të konsiderueshme, gjatë verës.

Një qëllim i mbajtjes së referendumeve mund të jetë frenimi i këtyre përparimeve të Ukrainës. Nëse Rusia do të aneksonte zyrtarisht Donetsk dhe Luhansk, Kremlini mund të pretendonte, në mënyrë të rreme, se ofensivat ukrainase në ato zona ishin sulme në tokën ruse, raporton abcnews.al.

Në një deklaratë Putin tha se, “Kur integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, duke shtuar se “Kjo nuk është një bllof.”

Disa e kanë krahasuar me Krimenë. Gadishulli u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014 pas një referendumi të ngjashëm të rremë. Zyrtarët rusë që atëherë kanë lëshuar paralajmërime ogurzezë se një përpjekje ukrainase për ta rimarrë atë do të përfaqësonte një përshkallëzim serioz.

“Çdo përpjekje për të cenuar Krimenë është një shpallje lufte kundër vendit tonë”, tha Dmitry Medvedev, nënkryetari i këshillit të sigurisë së Rusisë dhe ish-presidenti i vendit. “Dita e Gjykimit, do të vijë shumë shpejt.”

Zyrtarët perëndimorë janë të shqetësuar për perspektivën e përshkallëzimit nëse linjat e frontit ruse në jug shkatërrohem, duke mundësuar një sulm tokësor ukrainas në Krime.

Synimi i Putin mund të jetë të ngjallë të njëjtat frikë në lindje, ndoshta duke ftuar presionin perëndimor mbi Ukrainën – e mbështetur siç është në armët dhe municionet amerikane dhe europiane,  për të zbutur sulmet e saj.

Kjo strategji do të synonte të përfitonte nga shqetësimet perëndimore se Rusia mund të përdorë një armë bërthamore, diçka kundër të cilës Joe Biden, presidenti i Amerikës, paralajmëroi publikisht më 18 shtator.

Aneksimi mund të ketë gjithashtu avantazhe më prozaike. Shoigu, në fjalimin e tij, këmbënguli se rekrutët nuk do të dërgoheshin në Ukrainë. Por nëse disa territore të mëdha, do të bëheshin pjesë e Rusisë,  atëherë rekrutët me sa duket mund të dërgoheshin në Kherson, Zaporizhia dhe Donbas nëse do ta kërkonin rrethanat ushtarake.

Megjithatë, as mobilizimi dhe as aneksimi nuk do të zgjidhin problemet e Putin. Një mobilizim i plotë kombëtar do të ishte tmerrësisht jopopullor në Rusi.

Megjithëse lufta ka qenë një fatkeqësi, shumica e rusëve janë kursyer nga efektet e saj më të këqija. Spektri i rekrutimit të të rinjve dhe mobilizimi i rezervistëve rrezikon të provokojë zemërim të gjerë ndaj regjimit të Putinit, ndërkohë që ofron pak ndihmë afatshkurtër në fushën e betejës, raporton abcnews.al.

Nuk ka asnjë mënyrë të thjeshtë për të trajnuar, pajisur dhe gjetur oficerë për një ushtri të re të madhe. Procesi ndoshta do të zgjasë më shumë se një vit. Ndërkohë, kostoja e fluturimeve nga Moska në vende si Stambolli dhe Jerevani ka shënuar rritje, me sa duket pasi rezervistët kanë kërkuar një mënyrë për tu larguar.

Aneksimi, gjithashtu, është i mbushur me rreziqe. Kjo do ta angazhonte Putin të ruante financat dhe politikën të një rajoni të shkatërruar nga lufta nën rrezikun e përhershëm të sulmit nga një ushtri ukrainase që ka të ngjarë  të armatoset nga Perëndimi për vitet në vijim.

Kjo gjithashtu do ta detyronte atë të përpiqej të merrte në kontroll pjesën më të madhe të Donetskut që aktualisht mbahet nga Ukraina. As kërcënimet bërthamore të Putinit nuk janë plotësisht të besueshme.

Doktrina e publikuar rreth armëve bërthamore të Rusisë lejon përdorimin e armëve bërthamore kundër kërcënimeve konvencionale ndaj territorit rus, por vetëm “kur vetë ekzistenca e shtetit është nën kërcënim” – një pengesë e lartë që Putin duket se e injoronte në kërcënimet e tij televizive.

Ushtria e Ukrainës ka lëshuar raketa dhe ka kryer bastisje kundër Krimesë dhe objekteve në Rusi gjatë gjithë luftës. Megjithatë, nacionalistët rusë, të cilët janë ankuar për muaj të tërë se Putin nuk ka arritur të zhvillojë një luftë të ashpër, po mbështesin lëvzjet e tij të fundit, raporton abcnews.al.

Këto veprime janë dëshmi se udhëheqja e Federatës Ruse, megjithatë ka arritur të kuptojë natyrën e luftës në të ashtuquajturën “Ukrainë”, tha Igor Girkin, një komandant rus në Donbas, më 20 shtator.

Putin, tha ai po përgatitet të luftojë për të vërtetën.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!