Një super-jaht, për të cilin kritikët e Kremlinit pretendojnë se i takon presidentit rus, Vladimir Putin, ndan të njëjtin menaxher ndërtimi dhe anëtarë evropianë të ekuipazhit, sikurse disa jahte tjera të manjatëve rusë, të cilat qeveritë e Perëndimit, ose i kanë konfiskuar, ose i kanë sanksionuar, sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë po ashtu ka zbuluar se një anëtar rus i ekuipazhit të super-jahtit Sheherazade – në vlerë të rreth 700 milionë dollarëve – ka punuar më parë për një kompani ruse të jahteve, e cila ka fituar miliona dollarë në kontrata nga shërbimet e sigurisë së Kremlinit, zyrtarët e të cilave dyshohet se kanë shërbyer në ekuipazhin e jahtit.
Hulumtimi është i bazuar në një analizë të jahtit Sheherazade – pronësia e të cilit është duke u hetuar nga autoritetet italiane – i cili është publikuar më 21 mars nga bashkëpunëtorët e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny.
Misteri se kush e zotëron anijen 140 metra të gjatë, e cila është ankoruar tani në Tuskani të Italisë, është rritur në javët e fundit, pas nisjes së hetimeve italiane dhe sanksioneve të pashembullta të Perëndimit, për shkak të nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt.
Ekipi i Navalnyt ka pretenduar se disa pjesëtarë të ekuipazhit janë zyrtarë të Shërbimit të Gardës Federale të Rusisë (FSO), i cili është përgjegjës për sigurinë e Putinit, çka shton të dhënat për lidhje të mundshme të anijes me presidentin rus.
Anija është mister edhe për ekuipazhin, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një burim që ka punuar në anijen Sheherazade.
Ky burim, i cili ka folur në kushte anonimiteti, për shkak të shqetësimeve për sigurinë, ka thënë se mungesa e emrit të jahtit dhe porti i regjistrimit është gjë “shumë e pazakonshme” dhe se anëtarët e ekuipazhit i janë referuar anijes me kode të ndryshme dhe jo me emër.
“Ka qenë sekret shumë i madh”, ka thënë burimi.
Jahtet e gjithë oligarkëve
Ndërtimi i anijes Sheherazade, e cila është kompletuar nga kompania gjermane, Lurseen më 2020, është mbikëqyrur nga ndërmjetësuesja e jahteve me bazë në Monako, Imperial Yachts, e cila po ashtu ka menaxhuar ndërtimin e anijes luksoze të lidhur me njeriun e besueshëm të Putinit, Igor Sechin, udhëheqës i kompanisë gjigante të naftës, Rosneft dhe miliarderin, Alisher Usmanov, të cilin Shtëpia e Bardhë e identifikon si “aleat të afërt të Putinit”.
Në fillim të muajit mars, autoritetet franceze kanë njoftuar se kanë konfiskuar anijen që dyshohet se është e lidhur me Sechin, Amore Vero, derisa Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar jahtin e Usmanovit, Dilbar.
Të paktën dy individë të përmendur në ekuipazhin e Sheherazades, kanë punuar për Imperial Yachts, sipas të dhënave publike, duke përfshirë Nicholas Snooks, i cili ka punuar edhe në jahtin e Usmanovit.
Si ai, ashtu edhe njerëz tjerë, që sipas të dhënave duket se janë lidhur me Imperial Yachts – një britanike me emrin Esme Leyland – janë renditur si “punëtorë shtesë” në listën e publikuar nga ekipi i Navalnyt.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të kontaktojë anëtarë të ekuipazhit të anijes.
Një zëdhënës për Imperial Yachts, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përfshirja e kompanisë në anijen Sheherazade, ka përfunduar në momentin që ajo është dorëzuar në qershor të vitit 2020.
Ai ka thënë se kompania e di pronarin e jahtit, mirëpo “siç është zakon në industri, konfidencialiteti i klientit është parësor.”
Sipas tij, kompania “ka parë spekulimet e fundit në media”, por “nuk është në dijeni të përfshirjes së (presidentit rus, Vladimir Putin)” me jahtin.
Kapiteni britanik i anijes, Guy Bennett-Pearce, ka thënë për të përditshmen amerikane, New York Times këtë muaj, se anija Sheherzade nuk ka qenë kurrë e Putinit, dhe se ai nuk e ka vënë hapin kurrë në të.
Ai ka thënë se hetuesit italianë janë duke shqyrtuar dokumentet e anijes.
Kapiteni i parë i anijes ka punuar edhe në jahte tjera që kanë qenë të lidhura me ndihmësit e Putinit dhe janë goditur nga sanksionet e Perëndimit.
Kapiteni, shtetas amerikan me emrin, Alexander Scherbakov, ka drejtuar anijen dy muaj pas përfundimit të punimeve në të, sipas profilit të tij në platformën, LinkedIn.
Në profilin e tij përmendet se në periudhën 2017-19, Scherbakov ka shërbyer si kapiten në super-jahtin e gjatë 65 metra, Rahil.
Anija është në pronësi të Grigory Bayevsky, partner biznesi i mikut të Putinit, Arkady Rotenberg, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Një hulumtim i vitit 2016 nga i ashtuquajturi, Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka gjetur se vajza e Putinit, Yekaterina Tikhonova, e ka paraqitur adresën e saj të banimit në një banesë jashtë Moskës, e cila është në pronësi të Bayevskyt.
Në verën e vitit 2014, Scherbakov ka punuar në jahtin St. Vitamin, e cila është në pronësi të manjatit Yevgeny Prigozhin – po ashtu i lidhur me Kremlinin – sipas profilit të tij në LinkedIn.
Më 2019, Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar St.Vitamin dhe asetet tjera të Prigozhinit.
Arkëtarja ruse
Në listën e Navalnyt, sa i përket ekuipazhit, është parë edhe emri i një kompanie të mirënjohur ruse, e cila ka siguruar miliona dollarë nga kontratat shtetërore me Shërbimin e Gardës Federale të Rusisë (FSO), zyrtarët e të cilit supozohet – sipas ekipit të Navalnyt – se kanë qenë anëtarë të ekuipazhit të Sheherazades.
Arkëtarja e anijes Sheherazade – e cila është përgjegjëse për operacione të ndryshme të jahtit, përfshirë administrimin financiar – është përmendur se është Viktoria Kulikova.
Një llogari në rrjetin social Facecbook, me emrin e njëjtë dhe datë të njëjtë të lindjes, tregon se Kulikova punon në Grupin Burevestnik.
Më 2017, Kulikova është renditur si menaxhere e shitjeve për Grupin Burevestnik.
I themeluar nga biznesmeni i njohur rus, Andrei Boyko, më 2003, Burevestnik është kompania më e famshme ruse për jahte, në gjithë botën.
Ndonëse Boyko është arrestuar më 2009 nën akuzat për kontrabandë, të cilët më vonë janë hedhur poshtë, kompania e tij ka përfituar nga projekte fitimprurëse shtetërore.
Më 2018, kompania shtetërore ruse, Sovcomflot i ka dhënë Grupit Burevestnik të drejtën për të menaxhuar një klub të jahteve, i cili është ndërtuar në Soçi për Lojërat Olimpike Dimërore më 2014.
Një analizë e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, lidhur me tenderët shtetërorë, tregon se në periudhën 2008 – 2012, kompania e Boykos ka fituar një total prej 38 kontratave në vlerë të diku 17.3 milionë dollarëve.
Kulikova nuk u është përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë rreth punës së saj si arkëtare në anijen Sheherazade.
Një njeri që është përgjigjur në telefon në Grupin Burevestnik, ka thënë se ajo nuk punon më aty.
Ndryshimi i Gardës
Pamjet, që supozohet se shfaqin ambientin e brendshëm të anijes Sheherazade, janë publikuar fillimisht nga gazeta britanike, The Sun më 22 mars.
Aty shfaqet një sallë vallëzimi, e cila mund të shndërrohet në pishinë, një tavolinë bilardoje që përshtatet me lëvizjen e jahtit, një xhakuzi në kuvertë dhe një dhomë stërvitjeje me një fotografi me kornizë të një manteli për xhudo — një nga sportet e preferuara të Putinit.
Dokumentet e publikuara nga ekipi i Navalnyt tregojnë se, sipas dokumenteve, jahti është në pronësi të kompanisë Bielor Asset Ltd., kompani anonime, e cila është regjistruar në Ishujt Marshall.
Zëdhënësi i kompanisë Imperial Yachts, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka lidhje biznesore me Bielor, apo me Shërbimin e Gardës Federale të Rusisë (FSO).
Më 23 mars, agjencia e lajmeve, AFP ka cituar një burim të paidentifikuar, të afërt me hetimet që po kryen Policia italiane, se epilogu i këtij rasti mund të përfundojë brenda disa ditëve.
“Jemi në fazën e thellimit dhe në përgjithësi është situatë më e komplikuar”, ka thënë ky burim sipas AFP-së.
“Nuk është gjithmonë e lehtë të atribuosh pronësinë”.
Më pas, si AFP, ashtu edhe gazeta britanike, Times, kanë cituar Paolo Gozzani, zyrtar për sindikatën italiane, CGIL, të ketë thënë se një ekuipazh britanik ka marrë përsipër rusët në jaht për arsye që nuk janë menjëherë të qarta.
Ky burim, i cili ka punuar për anijen Sheherazade, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një shkëmbim i njëjtë ka ndodhur pas përfundimit të punimeve në super-jaht, në qershor të vitit 2020, por në drejtim të kundërt: një ekuipazh britanik është zëvendësuar me atë rus./REL