Putin si Al Capone: Le të përdorim “Rregullat e Çikagos” për ta mposhtur Rusinë

schedule10:09 - 8 Korrik, 2022

schedule 10:09 - 8 Korrik, 2022

Nga Eliot A. Cohen “The Atlantic”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Carl von Clausewitz thekson në librin e tij klasik “Mbi artin e luftës”, se “përdorimi maksimal i forcës, nuk është aspak i papajtueshëm me përdorimin e njëkohshëm të intelektit”. Kjo do të thotë, të veprosh pjesërisht me mend, por edhe duke u përpjekur maksimalisht të kuptosh se lufta është më shumë përleshje në një bar sesa një lojë shahu.

Ose për ta thënë me fjalët më të thjeshta të Jim Malone, këshilltarit të Eliot Ness tek filmi i famshëm “Të Paprekshmit”: “Dëshiron ta dish se si ta kapësh Al Caponen? Ata nxjerrin thikën, ju nxirrni armën. Ai bën për spital njërin nga ndihmësit tuaj, ju dërgoni në morg njërin nga njerëzit e tij. Kjo është mënyra e të vepruarit në Chikago! Ja kështu mund ta kapni Caponen”.

Al Capone është një analogji e përshtatshme për përballjen e Perëndimit me Rusinë, ku ka një përzierje të dëmshme të mentalitetit mafioz, ideologjisë hipernacionaliste dhe teknikës totalitare. Eleganca nuk është mënyra ruse e të sjellurit, ndaj nuk mund të jetë as mënyra jonë, raporton abcnews.al.

Kjo është kuadri në të cilin duhen parë arritjet e samiti të fundit të NATO-s në Madrid. Masat që njoftuan udhëheqësit perëndimorë ishin mbresëlënëse në shumë aspekte, sidomos angazhimet për t’i dhënë Ukrainës rreth 500 sisteme artilerie, 600 tanke, qindra mijëra fishekë municionesh etj.

Por si gjithmonë, pyetja që ngrihet është nëse këto armë do të shpërndahen po aq shpejt sa mund edhe të përdoren. Shtetet e Bashkuara u angazhuan të dërgojnë trupa shtesë në Evropë, duke përfshirë 2 destrojerë që do të ankorohen një bazë detare në Spanjë.

Edhe lëvizjet e tjera ishin po aq të rëndësishme. Siç ishte vendimi për të zgjeruar forcën e gatishmërisë së lartë të NATO-s; njohja zyrtare e formale e sfidës (NATO e shmangu tani për tani termin kërcënim) të paraqitur nga Kina; dhe një marrëveshje për të mirëpritur aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar aleancës.

Por sado të dobishme të jenë, këto lëvizje plotësojnë vetëm pjesërisht nevojat e momentit. Ukraina ka dëshmuar herë pas here aftësinë e saj për të përdorur me efektivitet pajisje ushtarake të nivelit të lartë. I tillë është rasti i HIMARS, sistemi raketor i lëvizshëm, që është tepër i saktë.

Ai po përdoret tashmë nga forcat ukrainase për të goditur depot e municioneve ruse dhe shtabet ushtarake. Në vend të 8 sistemeve të tilla të premtuara nga Perëndimi, ukrainasve u duhen në fakt 80 të tillë, ndaj duhet të punohet për të shtuar sa më shpejt dërgesat e këtyre armëve dhe të tjerave të ngjashme.

Por administrata Biden është ende e paqartë në lidhje me qëllimi përfundimtar të ndihmës perëndimore për Ukrainën. Në konferencën e tij për shtyp, presidenti tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk do të “lejojnë mposhtjen e Ukrainës”. Por ky është objektivi i gabuar.

Përkundrazi, duhet të sigurohet disfata e Rusisë, të pengohen synimet e saj për të pushtuar akoma më shumë territor ukrainas, dhe të shkatërrohen forcat e saj të armatosura. Kjo duhet kryer në mënyrë bindëse, publike dhe poshtëruese. Pra duhen përdorur edhe në këtë rast “Rregullat e Chikagos”.

Po ashtu, administrata Biden gabon kur nguron të dërgojë të gjitha armët e kërkuara për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit nga rusët. Perëndimi ndodhet në një moment krize ushtarako-industriale. Ai duhet të marrë masa konkrete për të rritur mobilizimin industrial, me synim pajisjen e Ukrainës me të gjithë arsenalin e duhur, si dhe riarmatosjen e forcave në zgjerim të një NATO-je të sapo-gjallëruar, raporton abcnews.al.

Ndërsa aleatët perëndimorë e kundërshtojnë pushtimin rus të Ukrainës, ata duhet të përballen si duhet edhe me kërcënimin më të gjerë dhe afatgjatë që paraqet Rusia për anëtarët lindorë të NATO-s, sidomos shtetet baltike. Aleatët perëndimorë nuk do ta pushtojnë Rusinë, dhe as nuk do ta përmbysin regjimin e saj.

Shpresojmë që një ditë këtë ta bëjnë vetë rusët. Putin është i motivuar nga fantazitë perandorake të imitimit të Pjetrit të Madh dhe udhëheqësve të tjerë rusë. Edhe pasardhësi i Putinit, nëse vdes lideri aktual, ose bëhet i paaftë gjatë kohës që është në detyrë, ka të ngjarë të mos jetë më i mirë se ai.

Për këtë mjafton të shihni sjelljet skandaloze të këshilltarëve kryesorë si Nikolai Patrushev. Edhe kur të ndalen luftimet në Ukrainë, synimet e Rusisë për t’u zgjeruar dhe nënshtruar fqinjët e saj do të mbeten në fuqi.

Këtu lajmi i mirë është se nëse dikush lë mënjanë kujtimet e deformuara të Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë, dhe shpërfill murmuritjet ogurzeza të ekspertëve që e ekzagjeruan kapacitetin rus përpara luftës, atëherë bëhet e qartë se Rusia është një shtet i dobët.

PBB-ja e Rusisë është më e vogël se ajo e Koresë së Jugut. Udhëheqja e saj ka frikë të mobilizojë hapur në luftë shtresën e saj të mesme, ndaj refuzon të shpallë zyrtarisht gjendjen e luftës dhe t’i dërgojë të rinjtë nga Moska dhe Shën Petersburgu në kasaphanën që tashmë është shndërruar Donbasi.

Gjeneralët rusë janë kryesisht të paaftë, prandaj po vazhdojnë spastrimet ndaj tyre. Ushtria ruse ka humbur shumë trupa ndaj po e rrit moshën e shërbimit ushtarak. Korrupsioni dhe mungesa e disiplinës e kanë dëmtuar më tej ushtrinë ruse. Rusia ka tani rezerva armësh dhe municioneve të kohës së Luftës së Ftohtë, teksa në të gjithë zinxhirin komandues vihet re një shpërfillje e plotë për jetën e njeriut.

E megjithatë, një ari i zgjebosur, miop dhe i tërbuar, është ende një bishë e rrezikshme. Kjo është arsyeja pse nuk mjafton mposhtja e forcave ruse në Ukrainë. Perëndimi duhet të vendosë ndaj Rusisë sanksione që të synojnë jo të ndëshkojnë, por më tepër ta dobësojnë shtetin rus (sërish sipas Rregullave të Chikagos).

Pra edhe kur të përfundojë lufta e Ukrainës, Perëndimi duhet të vendosë një regjim sanksionesh gjithëpërfshirëse, që do ta dobësojë ekonominë e Rusisë në një periudhë afatgjatë, dhe që do të pengojë aftësinë e saj për t’u riarmatosur në një shkallë të gjerë kur të ndalin luftimet.

Në këtë proces duhet të ndihmojë zgjerimi i NATO-s. Shumë shpejt aleanca do të zgjerohet me Suedinë dhe Finlandën. Këto vende kanë një kapacitet real dhe potencial dhe një udhëheqje politike serioze. Por një NATO me 32 anëtarë, do të jetë edhe më e kaotike se ajo që kemi tani.

Zgjidhja – e cila nuk mund të deklarohet publikisht – është një NATO-brenda NATO-s. Gjermania, Franca dhe Italia, kanë ekonomitë më të mëdha në Bashkimin Evropian, dhe në teori duhet të kenë peshën më të madhe edhe në vendimmarrjen e sigurisë evropiane. Por ato nuk munden, raporton abcnews.al.

Gjermania, është e kompromentuar fatalisht nga mosgatishmëria dhe paaftësia e saj për të përmbushur angazhimet ushtarake, dhe e kaluara e saj e afërt e mundësimit të rritjes ekonomike të Rusisë. Franca është e përçarë nga brenda, ndërsa vaniteti i madh i presidentëve të saj e bën të vështirë që ata të dëgjojnë këshillat nga më të vegjlit.

Italia, si gjithmonë, prodhon me raste shtetarë, por jo burrështetas. Megjithatë, një koalicion i fuqive në lindje është i gatshëm ta marrë seriozisht Rusinë, dhe ka forcën e duhur për ta penguar atë. Shtetet e Evropës Lindore dhe Baltike, me Poloninë në krye, e njohin tiraninë ruse nga përvoja vetjake, dhe janë gati që t’i rezistojnë asaj. Edhe shtetet skandinave janë pothuajse të njëjta në qasjen e tyre.

Fuqitë e jashtme anglishtfolëse, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, janë dinamike dhe të vendosura. Tek këto vende duhet të fokusohet SHBA-ja. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë britanike, e krahasoi kohët e fundit krizën në Ukrainë me atë të vitit 1937 për Perëndimin.

Në atë vit nisi lufta Kinë-Japoni, duke krijuar terrenin për Luftën e Dytë Botërore. Perëndimi kishte para vetes zgjedhje që mund të kishin shmangur tmerret e një konflikti shumë më të keq, por dështoi.

Sot udhëheqësit perëndimorë po performojnë shumë më mirë se sa homologët e tyre 85 vjet më parë, por ende jo aq sa duhet. Kemi të bëjmë me një Al Capone, dhe ndërsa si Eliot Ness, duhet të qëndrojmë brenda kufizimeve të ligjit dhe mirësjelljes bazë, duhet gjithashtu të zbatojmë “Rregullat e Chikagos”.

Shënim: Eliot A.Cohen, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins, SHBA.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!