Vizita e presidentit rus Putin në Serbi ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. ndërsa deklarata më e fortë e liderit të Kremlinit ishte sfida për NATO-n: nuk do ju lëmë Ballkanin në dorë.
Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, por ndërkohë shtron tapetin e kuq në këmbët e Vladimir Putin. lideri i Kremlinit u prit si një fenomen në Beograd, ndërsa gjatë gjithë qëndrimit në kryeqytetin serb ai u shoqërua nga Presidenti Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit kishte përgatitur për aleatin e tij të fuqishëm një pritje madhështore me këmbana dhe gjuajtje me top. Vizita e Putin në Serbi shërben për të përforcuar edhe më shumë lidhjen mes Beogradit dhe Moskës, por përfaqëson dhe një sfidë.
Sfidë e Rusisë ndaj NATO-s, pasi presidenti Putin deklaroi se nuk do të lejohej që Ballkani të ishte në dorë të NATO-s. Mediat serbe nga ana tjetër raportojnë se kanë qenë më shumë se 120 mijë persona pranë kishtës ortodokse serbe për t’i uruar mirëseardhjen liderit të Kremlinit me parullën: Faleminderit President – për një Serbi të lirë dhe me dinjitet. Putin i përshëndeti me shprehjen se kur Serbia dhe Rusia bashkohen, aty ndodhet dhe fitorja./abcnews.al