Dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë, miratoi ndryshimin kushtetues që i lejon presidentit Vladimir Putin të kandidojë për një mandat të ri presidencial, më 2024. Putin nuk e ka përjashtuar kandidimin përsëri për president.
Por gjate debatit në parlament, presidenti rus tha se ligji mund të shkojë përpara nëse miratohet nga qytetarët në referendum më 22 prill dhe “nëse Gjykata Kushtetuese vendos se një ndryshim i tillë nuk do të shkonte kundër kushtetutës”.
Më herët, ligjvënësja ruse, Valentina Tereshkova, e partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar”, nje mbeshtetese e Putin dhe e presidences se tij ka propozuar ndryshime në Kushtetutë që do t’i lejonin presidentit Vladimir Putin të kandidojë përsëri. Pas një ore diskutimesh në Parlament, në fjalimin e tij Putin tha se “një presidencë e fortë është absolutisht thelbësore”, por ai shtoi se Duma “duhet të marrë fuqi më të gjera”.
Mandati aktual i Putin përfundon më 2024. Në janar, Putin, i cili që prej vitit 2018 po ushtron mandatin e tij të fundit gjashtë vjeçar, siç lejohet nga kushtetuta aktuale, bëri thirrje për një seri ndryshimesh kushtetuese të cilat kanë për qëllim një ristrukturim të madh të kompetencave ligjore midis presidencës dhe parlamentit.
Besimi i rusëve në presidentin e tyre, Vladimir Putin ka rënë në dy vitet e fundit, duke shënuar shifrën më të ulët prej vitit 2013, një vit pasi ai ishte kthyer nga kryeministria në presidencë. Sondazhi i publikuar më 12 shkurt nga Qendra Levada, tregon rënie të popullaritetit të Putinit, i cili është lideri më i famshëm politik në Rusi nga viti 2000./abcnews.al