Putin: Rusia e gatshme të tërhiqet nga traktati START

schedule10:02 - 7 Qershor, 2019

schedule 10:02 - 7 Qershor, 2019

Në një diskutim të gjerë për politikën e jashtme, Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia është e gatshme të heqë dorë nga një traktat i ri i Kontrollit të Armëve START, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë të interesuara ta rinovojnë atë.

Duke folur të enjten në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, presidenti Putin gjithashtu mohoi se Moska po tërheqë personelin e mbrojtjes nga Venezuela, duke kundërshtuar një koment të mëparshëm nga Presidenti amerikan, Donald Trump.

Për Britaninë, udhëheqësi i Rusisë tha se është koha që të dy vendet të “kthejnë faqen” në lidhjet e tyre të tensionuara dhe të “lënë pas” çështjen në lidhje me helmimin e një ish-spiuni rusë në Angli vitin e kaluar.

Putini i bëri komentet mes tensioneve të vazhdueshme mes Rusisë dhe Perëndimit lidhur me çështjet që përfshijnë konfliktet në Ukrainë dhe Siri, ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet e vendeve të tjera dhe sulmin me agjentit nervor ndaj ish agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin jugor britanik Salisbury.

Ekzistojnë gjithashtu paqartësi mbi fatin e dy traktateve të kontrollit të armëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, duke përfshirë një START të ri, i vetmi pakt bilateral që kufizon dislokimin e armëve bërthamore strategjike.

Në një takim me krerët e agjencive ndërkombëtare të lajmeve në Shën Petersburg, Putini tha se Uashingtoni ngurron të fillojë bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes, e cila do të skadojë në vitin 2021./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!