Kreu i Kremlinit Vladimir Putin, pak para udhëtimit në Pekin për inaugurimin e Lojërave dimërore, u shpreh në një intervistë për mediat kineze, se njihet prej kohësh me presidentin Xi Jinping, si miq të mirë dhe politikanë që kanë qëndrim të njëjtë për problemet në botë.
Pikërisht për këtë arsye Putin pranoi menjëherë ftesën e tij për të vizituar Kinën dhe për të qenë i pranishëm në hapjen e eventit të rëndësishëm sportiv: Lojërat Olimpike Dimërore. Presidenti rus u shpreh se orgnizatorët kanë bërë një punë të mirë pasi ka pasur shumë investime në infrastruktura sportive dhe transporti; janë ndërtuar impiante moderne sportive, dhe strehime të sigurta për atletët, trajnerët dhe gazetarët e huaj.
Putin shtoi se Kina mbetet në krye të litës së partnerëve tregtarë të Rusisë, me një ndërshkëmbim tregtar dypalësh që në vitin 2021 shënoi rekordin e 140 miliard dollarëve. Por presidenti rus tha dhe që Pekini është partneri strategjik i Kremlinit në arenën ndërkombëtare.
Presidenti i Rusisë u zotua se do të thellojë gjithashtu lidhjet diplomatike dhe ekonomike të vendit të tij me Kinën, duke kundërshtuar fuqinë dhe ndikimin amerikan.
/abcnews.al