Në një intervistë për think-tankun italian “Formiche.net”, politologu rus Fyodor Lukyanov, drejtor i Klubit Valdai, dhe një nga ekspertët më të dëgjuar në Kremlin, është i bindur se synimet e Vladimir Putin në Ukrainë, janë më të larta se një pushtim ushtarak. Sipas tij, Rusia dëshiron ri-konfigurimin e arkitekturës evropiane të sigurisë.
A do ta pushtojë Rusia Ukrainën?
Të gjithë janë trullosur nga “daullet” mediatike të Perëndimit. Por unë mund t’ju siguroj se askush në Moskë, as politikanët dhe as opinionit publik, nuk flet për luftë. E parë nga Rusia, histeria perëndimore duket si një inskenim i studiuar, apo një shenjë se ka humbur logjika.
Në kufi me Ukrainën ndodhet një ushtri ruse prej 150.000 trupash. A është vetëm histeri reagimi i perëndimorëve?
Një pushtim ushtarak do të ishte shumë i çuditshëm. A pret e gjithë bota që Vladimir Putini të japë dritën jeshile, dhe a duhet të përmbushë pritshmëritë e tyre? Nuk është në stilin e tij. Në Moskë i kuptojnë shumë mirë rreziqet e një sipërmarrjeje të tillë, ndërsa është e vështirë të kesh përfitime nga një konflikt i tillë.
E megjithatë, shërbimet sekrete evropiane dhe amerikane, paralajmërojnë se sulmi mund të jetë çështje ditësh…
Ndoshta supozohet që ne duhet t’i marrim gjithmonë si të vërteta ato që thotë inteligjenca amerikane. Por gjërat nuk janë aspak ashtu. Ne nuk jemi në gjendje t’i mohojmë apo t’i pranojmë këto sinjalizime. S’ka asnjë dyshim se Rusia po zhvillon një fushatë presioni diplomatik, të mbështetur nga një shfaqje e forcës ushtarake. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën.
Çfarë ka tjetër?
Stërvitje ushtarake po zhvillohen në Bjellorusi, Detin e Zi dhe Detin Baltik. Ky grumbullim i madh trupash, nuk synon pushtimin e një vendi të vetëm. Nëse ka ndonjë mesazh që përcjell, ai synon të tregojë se Rusia duhet të merret seriozisht në aspektin ushtarak.
Por nuk mungojnë shenjat e një grumbullimi ushtarak. Për shembull, Duma ruse dëshiron të njohë republikat e vetë-shpallura të Donjeckut dhe Luganskut. A i paraprin ky akt aneksimit të tyre?
Është e vështirë të imagjinohet një lëvizje më e pakuptimtë për aneksimin e Donjeckut dhe Luganskut. Rusia do të fitonte disa kilometra kufi, pa zgjidhur asnjë nga problemet reale. Moska dëshiron të rikonfigurojë të gjithë kornizën evropiane të sigurisë.
Dhe si synon ta arrijë këtë?
Rusia është ankuar që në vitet 1990, për një sistem, të cilin ajo e konsideron të padrejtë. Në Moskë, ka mendime dhe propozime të ndryshme për të balancuar marrëdhëniet, por të gjitha ato janë injoruar nga Perëndimi, përfshirë Traktatin Evropian të Sigurisë të propozuar nga Medvedev në vitin 2008. Putin ka arritur në një përfundim:që të tjerët ta marrin seriozisht Rusinë, ai duhet të sigurohet që ajo të mos injorohet më në skenën globale.
Kjo është një lojë e rrezikshme…
Shumë e rrezikshme. Megjithatë, nuk i kuptoj ata që e përshkruajnë Putin si një “kumarxhi”. Putin është gjithçka tjetër veçse jo një kumarxhi. Ai është një llogaritës. Është gati të marrë në sy rreziqe, vetëm kur është i sigurt se ato janë të matura, dhe nëse ka mundësi të kthehet pas. Sot Rusia rrezikoi, paraqiti propozime shumë të vështira, dhe i shoqëroi me lëvizjen e trupave të saj.
Cili është qëllimi?
T’i dërgojë një mesazh Perëndimit:Nëse besoni se mund të diktoni rregullat për sigurinë në këtë fushë, e keni gabim, në aspektin ushtarak ne jemi superiorë. Unë besoj ende se lufta nuk ka shumë gjasa që shpërthejë. Ky është një përshkallëzim i menaxhuar. Në këto lloj ofensivash diplomatike, ju duhet ta rrisni tensionin, derisa të arrijë në nivele shumë e rrezikshme, dhe më pas të filloni të bisedoni. Shpresoj që intuita e Putin të funksionojë ende mirë.
Mbi çfarë mund të arrihet një kompromis?
Për momentin jemi ende larg. Mund të imagjinojmë një Ukrainë nën presion, që është gati të heqë dorë nga këmbëngulja për të hyrë në NATO, dhe ndoshta një rishikim të pjesshëm të Marrëveshjeve të Minskut. Njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të rihapin diskutimin për kontrollin e armëve në Evropën Lindore, dhe ripërtëritjen e Traktatit mbi Raketat Ndërkontinentale.
A do të mjaftojë kjo?
Jo, Kremlini do të dojë ta ngrejë sërish stekën e pretendimeve. Qëllimi është të hapet një proces politik i ngjashëm me Helsinkin, për të korrigjuar ose reformuar kuadrin e sigurisë, duke e pranuar se epoka e Luftës së Ftohtë ka përfunduar, dhe se parimet e Kartës së Parisit të vitit 1990 nuk janë më plotësisht të zbatueshme, së bashku me zvogëlimin e rolit të NATO-s në atë fushë.
E mbyllim këtë intervistë me Kinën. A mund të llogarisë Putin mbështetjen e Xi Jingping?
Kjo është një situatë shumë komplekse, dhe përshkrimi i Rusisë dhe Kinës thjesht si aleatë ushtarakë, është një thjeshtëzim i tepruar. Gjithsesi, është e vërtetë që marrëdhëniet midis 2 vendeve nuk kanë qenë kurrë kaq solide që nga vitet 1950. Kjo gjë i jep mundësinë Rusisë që të ndihet më e fortë. Shtytja e Rusisë dhe Kinës drejt një koordinimi të ri strategjik, nuk është skenari më i mirë i mundshëm për Shtetet e Bashkuara.