Putin mbështet idenë e krijimit të një ushtrie europiane

schedule10:42 - 13 Nëntor, 2018

schedule 10:42 - 13 Nëntor, 2018

Presidenti rus Vladimir Putin mbështet idenë e homologut francez Emanuel Makron për krijimin e një ushtrie europiane. Lideri i Kremlinit u shpreh se ishte normale që Bashkimi Europiane të kërkojë sovranitetin dhe për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë.

Ideja e një ushtrie europiane nuk është e re por është pozitive në optikën e përforcimit të një bote multipolare. Deklarata është bërë nga presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë qëndrimit në Paris për celebrimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së parë botërore. Në një intervistë për mediat franceze, lideri i Kremlinit u shpreh se propozimi për trupa ushtarake të përbashkëta europiane është bërë më parë dhe nga ish presidenti francez Zhak Shirak.

Sipas tij presidenti francez Makron vetëm sa po e risjell si ide. Një ide që sipas tij është një process pozitiv, dhe Rusia në këtë pikë ndan të njëjtin mendim. Presidenti rus Putin, theksoi se Europa është një bllok i fortë ekonomik, një union i fuqishëm ekonomik dhe në përgjithësi është normale që kërkon të jetë e pavarur dhe sovrane për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë.

Në një intervistë disa ditë më parë, presidenti francez Emanuel Makron deklaroi domosdoshmërinë e një ushtrie të vërtetë europiane për t’u mbrojtur nga ushtritë e vendeve si Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një deklaratë që shkaktoi zemërimin e presidentit amerikan Donald Tramp i cili me anë të një mesazhi në Tuiter, i kërkoi Parisit dhe vendeve të tjera europiane, që më parë të paguanin kontributet e tyre për buxhetin e NATO-s.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!