Putin fton Kim Jong-un në Rusi

schedule20:28 - 10 Shtator, 2018

schedule 20:28 - 10 Shtator, 2018

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka ftuar liderin e Koresë së Veriut për vizitë në Rusi. Kjo ftesë erdhi pas paradës ushtarake në Phenian që u organizua për 70-vjetorin e krijimit të Koresë së Veriut. Në këtë paradë nuk u shfaqën raketat me rreze të gjatë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka dërguar një letër liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, në të cilën e fton atë që të vizitojë Rusinë. Kjo është bërë e ditur nga Kremlini. Megjithatë një zyrtar i presidencës njoftoi se për momentin nuk po diskutohen plane të detajuara për një takim mes dy liderëve.

Kjo ftesë e Putin vjen pas celebrimit të 70-vjetorit të krijimit të Koresë së Veriut. Në Phenian, Kim Jong-un për këtë event, urdhëroi zhvillimin e një parade ushtarake, e cila u ndoq nga një det spektatorësh. Vetë lideri i regjimit komunist e vëzhgoi atë nga një ballkon, ku atij i ishte bashkuar edhe zyrtari i lartë i byrosë politike të Kinës, kryetari i parlamentit Li Zhanshu. Celebrimet ishin si zakonisht, por ajo që ra në sy ishte mungesa e raketave me rreze të gjatë në paradë.

Ky veprim i Kim Jong-un habiti vëzhguesit e huaj. Parada në fjalë u fokusua më shumë tek pajisjet ushtarake si tanke dhe lëshuesit e raketave. Disa prej tyre kishin akoma slogane anti-amerikane dhe anti-imperialiste. Vendimi i liderit Kim Jong-un për të mos nxjerrë në paradë raketat ndërkontinentale, vjen në një kohë kur bisedimet me SHBA-të vijojnë dhe Koreja e Veriut bëhet gati për çarmatosje bërthamore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!