Putin fajëson BE-në për krizën në Katalonjë

schedule20:42 - 19 Tetor, 2017

schedule 20:42 - 19 Tetor, 2017

Për krizën në Katalonjë, presidenti rus Vladimir Putin i vë fajin kryesor Bashkimit Europian. Sipas tij, kërkesa e Katalonjës për tu shkëputur nga Spanja u nxit nga mbështetja unanime që unioni i dha pavarësisë së Kosovës.

Për krizën e Katalonjës, presidenti rus Vladimir Putin e ka gjetur shkaktarin. është Bashkimi Europian, që sipas tij ka nxitur ndjenjat separatiste jo vetëm në Europë por në gjithë botën, që kur shumica dërrmuese e shteteve anëtare të unionit mbështetën pavarësinë e Kosovës.
Vladimir Putin, President i Rusisë: Mbështetja unanime që Bashkimi Europian i dha shkëputjes së Kosovës rezultoi një pikë kthese. Europa tashmë po përballet me pasojat e politikave dritë-shkurtëra, që synonin të kënaqnin vëllain e madh nga Uashingtoni.

Putin e konsideroi si paradoks, që tani Bashkimi Europian dhe shtete të tjera po e dënojnë unanimisht pavarësinë e Katalonjës. Siç u shpreh shefi i Kremlinit, Europa duhej ti kishte bërë mirë llogaritë më herët. Presidenti rus i konsideroi si pasoja të vendimit të Bashkimit Europian edhe referendumin për pavarësi të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, që pasoi me bashkimin e gadishullit me Rusinë. Përveç Katalonjës, Putin tha se edhe rajone të tjera duan tani të shpallin pavarësinë siç ishte rasti i kurdëve të Irakut.

Komentet, shefi i Kremlinit i bëri gjatë fjalimit të tij përpara klubit “Valdai” që po zhvillon punimet në Soçi. Klubi Valdai u themelua në 2004 nga Rusia, me qëllim promovimin e dialogut mes elitave indelektuale ndërkombëtare për të diskutuar zhvillimet politike, ekonomike e sociale.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!