Turqia dhe Greqia qëndrojnë në krye të listës së shqiptarëve që duan të kalojnë pushimet e verës jashtë vendit. Një gjë të tillë e konfirmojnë operatorët turistikë, pasi kërkesat për këto dy vende kanë qenë të larta.
“Greqia për shkak se është afër ofron plazhe shumë të bukura dhe ke mundësi të zgjedhësh nga apartamentet deri tek vilat luksoze. Gjithashtu Turqia të ofron se i ke të gjitha të përfshira dhe nuk e ke mendjen më se çfarë do shpenzosh më pak”, tha operatorja turistike Fjorida Zani.
Për një përvojë ndryshe jashtë vendit të kërkuara janë gjithashtu edhe destinacione të tjera evropiane deri tek vendet më të largëta.
“Dhe pastaj është edhe Spanja shumë e kërkuar. Edhe Italia ka pasur goxha kërkesa sidomos Sicilia sepse ka fluturime direkt dhe çmimet janë të lira. Vendet e largëta, Zanzibari, Maldivet që më shumë i kërkojnë çiftet. Minimalisht shkojnë 1500 dhe 2 mijë euro personi. Dubai ka dy linja direkte dhe shqiptarët po e zgjedhin. Kemi shqiptarë që shkojnë me grupe pothuajse çdo javë”, shtoi operatorja turistike.
Dy muajt më të nxehtë të verës janë më të preferuarit nga shqiptarët për të pushuar.
“Piku është korriku dhe gushti, por edhe shtatori nuk mbetet pas sepse ka goxha, klima është e mirë. Çmimet janë më të lira në disa destinacione dhe ka shumë kërkesa sidomos nga mosha e tretë”, tha Fjorida Zani.
Sa i përket rezervimeve brenda vendit, emigrantët shqiptarë që kthehen në atdhe preferojnë bregdetin e Jonit.
“Fillojnë nga Vlora në Sarandë që janë kërkesat e emigrantëve shqiptarë për të vizituar Shqipërinë, kryesisht për plazh. Por ka edhe nga ata që zgjedhin malin, Thethin apo Luginën e Valbonës për një fundjavë”, përfundoi Fjorida Zani.
Numri i shqiptarëve që udhëtojnë ka ardhur duke u rritur vitet e fundit, ndërsa rekordi u thye vitin e kaluar mbi 4.4 milion udhëtime brenda dhe jashtë vendit, pjesa më e madhe e tyre me qëllim për të pushuar.
/abcnews.al



