Pusetat e hapura në Elbasan, rrezik për banorët

schedule14:16 - 5 Qershor, 2021

schedule 14:16 - 5 Qershor, 2021

Puseta të hapura gjen shumë në Elbasan. Ato janë kthyer në burim rreziku për banorët e zonave, por edhe drejtuesit e mjeteve.

Pak ditë më parë në lagjen Shënkoll një qytetar i kësaj zone duke kaluar për të shkuar në banesën e tij gjatë orëve të vona të natës, 10 metra larg nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ra në një puste duke pësuar dëmtime serioze.

Situata përsa i përket kapakëve të pusetave në lagjen Shënkoll është një problem që vazhdon prej tre vitesh dhe ende nuk ka marrë asnjë zgjidhje.

Banorët tregojnë se kane rënë në to, kur lëvizin qoftë në këmbë qoftë me mjete.

“Para tre ditësh në një pusetë ra një familje me makinë, dhe e tërhoqi një autobus për ta nxjerrë” , shprehet një qytetar.

“Jo vetëm  një, por i gjithë qyteti është njësoj. Puseta janë gjithandej. Unë vetë kam rënë vetë me biçikletë mirë që s’kam thyer qafën”, tregon një qytetar.

Në Elbasan pusetat janë problem i hershëm.

“Këtu më problem janë këto pusetat e hapura. Persona që i kanë vendosur duhet të marrin masë që të mos të hiqen kaq lehtësisht. Sepse duket se ato nuk janë thyer, por i kanë vjedhur”, shprehet ai.

Por në këtë aks numri i pusetave të hapura që rrezikojnë çdo ditë jetë njerëzish janë shumë.

Përgjatë segmentit Elbasan-Cërrik, për afro 1 km mungojnë 50 kapakë pustetash që e bëjnë këtë rrugë të rrezikshme.

/abcnews.al/