Disa punonjës të një rrobaqepësie në Berat kanë dalë në protestë pasi pretendojnë se janë përfitues të pagës së luftës, po atë nuk e kanë marrë. Sipas tyre emrat ju figurojnë tek tatimet, por pagesa nuk ka kaluar në bankë.
“Prisnim të na hidhej pjesa tjetër. Bëmë një ankesë, emrat e 180 personave u miratuan, atëherë ne 40 personave që na erdhi miratimi, përse nuk i kemi marrë”, u shpreh një qytetare.
Këta punonjës kërkojnë që kjo problematikë të zgjidhet sa më parë pasi nuk kanë të ardhura të tjera për tu ushqyer.
“Jeta vazhdon, kemi mjekime, ilaçe. Tashmë ilaçet i kam ndërprerë, me çfarë do t’i paguaj”, u shpreh një tjetër qytetare.
Rrobaqepëset u grumbulluan përpara Drejtorisë të Tatimeve Berat. Protesta u ndërpre nga uniformat blu. Pasi në kohë pandemie grumbullimet nuk lejohen./abcnews.al