Punonjësit e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhurojnë gjak

schedule13:22 - 22 Gusht, 2018

schedule 13:22 - 22 Gusht, 2018

Punonjësit e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit i bashkohen thirrjes së  Aleancës për Dhurimin Gjakut, duke u sensibilizuar me institucionet e tjera të Bashkisë së Tiranës, të cilat gjatë verës dhuruan gjak për të sëmurët talasemikë dhe personat e tjerë në nevojë. Kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi të gjithë punonjësit e AMK-së, që iu bashkuan thirrjes për dhurimin e gjakut dhe shtoi se kontributi i tyre dhe i gjithë kolegëve të tjerë të bashkisë ka bërë të mundur që, edhe gjatë verës kur ndjehet më shumë problematika e mungesës së gjakut, të mos ketë më një problem të tillë.

“U jam pafundësisht mirënjohës të gjithë kolegëve të Bashkisë së Tiranës, sot Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, të cilët gjatë gjithë verës, pavarësisht periudhës së lejeve, jo vetëm që s’kanë lënë mangët asnjë punë në Tiranë dhe siç e shikoni është hapur çdo kantier në qytet, por ajo që është më e rëndësishme, kanë qenë të parët për të dhuruar gjak. Nga statistikat që na u ofruan nga Kryqi i Kuq me rritjen 250% të dhurimeve të gjakut gjatë sezonit të verës falë kontributit të Bashkisë Tiranës, është fakt se kemi kaluar me sukses një nga sfidat që tipikisht ndodhin çdo verë, ku prej largimit të pushuesve kemi pasur ulje të dhurimeve dhe kemi pasur shumë problematika kryesisht nga aksidentet, nga të sëmurët me talasemi dhe ata që kanë nevojë për gjak”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se kjo fazë emergjente e dhurimit të gjakut duhet të vazhdojë me angazhimin e të gjitha institucioneve, për ta kthyer në një traditë të përhershme. “Besoj se për këtë fazë të emergjencës Bashkia e Tiranës e ka kryer misionin e saj dhe kemi kaluar një verë realisht të menaxhuar mirë, me këtë frymë solidariteti. Tani do të kalojmë nga një fazë emergjente, në një fazë rutinë ku çdo institucion i bashkisë, në mënyrë kalendarike, 1 herë në 3-4 muaj, të dhurojë gjak; pra, të kalojmë nga zgjidhja e emergjente në një situatë ku edhe mund të parashikojmë se cilat do të jenë volumet e gjakut të dhuruar”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj deklaroi se çdo punë, çdo investim i bërë nga bashkia, është i rëndësishëm, por në çdo rast aseti më i rëndësishëm janë njerëzit. “Në një qytet është shumë e rëndësishme të kemi asfalt, ndriçim, pemë, trotuare, por aseti më i madh janë njerëzit dhe kur Bashkia e Tiranës e merr seriozisht këtë, sigurisht që do të bëjë mirë edhe punët e tjera. Kështu që, u jam pafundësisht mirënjohës të gjithë kolegëve që iu përgjigjën kësaj thirrje dhe mezi pres që të vazhdojmë të jemi institucioni numër një, shembullor si në çdo punë tjetër, edhe në këtë drejtim”, përfundoi ai.

Drejtoresha e AMK-së, Rudina Hoxha theksoi se ky institucion e ka kthyer tashmë në traditë dhurimin e gjakut. “Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit i është përgjigjur thirrjes sot, ndërkohë si institucion tashmë e kemi kthyer në traditë. Është e hera e dytë që ky institucion dhuron gjak. Dua të them që vihet re një sensibilizim nga të gjithë punonjësit dhe realisht e kanë kuptuar që dhënia e gjakut shpëton një jetë”, tha ajo.

Përfaqësuesja e Kryqit të Kuq falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj që u bënë pjesë e Aleancës për Dhurimin e Gjakut. Kjo nismë, tha ajo, ka ndikuar fort në promovimin e dhurimit vullnetar të gjakut, në rritjen e dhuruesve vullnetarë të gjakut dhe për pasojë edhe në plotësimin e nevojave të gjakut në këtë periudhë vere, kur nevojat janë të shumta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!