Punishtet që ngritën Apoloninë/ Prodhonin tulla prej balte, arkeologu: Ekzistojnë edhe furra të tjera

schedule20:17 - 28 Tetor, 2023

schedule 20:17 - 28 Tetor, 2023

Që nga themeli i mureve e deri te monumentet ikonike, Apolonia u ndërtua falë punishteve që prodhonin tullat prej balte. Deri dy vjet më parë baza e tyre ishte e panjohur, por u zbulua nga punimet për rrugën që lidh qytetin antik me by pass-in e Fierit

Por ndryshe nga objektet e tjera që zbulohen në këtë mënyrë, punishtja që ndërtoi Apoloninë, u gropos dhe mbi të u ndërtua rruga që lidh parkun arkeologjik me by pass-in. Për arkeologët, kjo është si të groposësh një thesar.

Punishtja i përket periudhës klasike helenistike që daton nga shekujt V dhe IV para Krishtit. Ajo përmban 6 furra dhe ndodhet në atë që mund të quhet zona industriale e Apolonisë.

Por nëse për studiuesit dhe publikun zbulimi ishte surprizues, për Vangjel Dhimon nuk qe i tillë. Si banor i zonës dhe arkeolog prej dekadash në Apoloni, Dhimo besonte se vendi që populli e quante balta e krehrit, kishte shërbyer si bazë materiale për ndërtesat në Apoloni.

Gërmimet gjurmuese që i paraprinë punimeve për rrugën, u bënë me orientimin e tij. Furrat e tullave dolën në dritë për herë të parë megjithëse edhe të fundit.

Kjo nuk ishte hera e parë që arkeologu veteran i Apolonisë “qëllon” në shenjë. Ekspedita të shumta i janë referuar përvojës dhe intuitës së tij për të gërmuar në vendin e duhur.

Si njohës i thellë i territorit të qytetit të lashtë, Dhimo ka gjithsesi një lajm të mirë. Punishtja e gjetur dhe e humbur nën rrugë, nuk është e vetmja dhe, ai e di se ku ndodhen të tjerat.

Apolonia e Fierit është një nga qytetet antike që fsheh objekte dhe monumente të shumta nën tokë. Në këtë të fundit mendohet se ndodhet pazbuluar 70% e monumenteve dhe ndërtesave./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!