Punimet në Bypass-in e Gjirokastrës, Margariti: UNESCO nuk kërkoi pezullim, do të sjellin ekspertë

schedule18:43 - 22 Korrik, 2021

schedule 18:43 - 22 Korrik, 2021

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka ndjekur ditën e sotme ecurinë e punimeve në një sërë kantierësh në Gjirokastër.

Margariti u shpreh se Gjirokastra është konsideruar si një “muze në qiell të hapur”, ndërsa theksoi se tashmë ka përfunduar projekti i spostimit të bustit të Çerçiz Topollit dhe do të ndërtohet një strukturë e posaçme brenda të cilit busti do të ndërtohet.

Lexo edhe: Shpërfillet “UNESCO”, vijon puna në Bypass-in e Gjirokastrës

Ndërsa sa i përket projektit të Bypass-it të Gjirokastrës për të cilin UNESCO doli me një rezolutë duke kërkuar pezullimin e punimeve, Margariti tha se është abuzuar mediatikisht për shkak të informacioneve të pjesshme.

“Në këtë rast në fillim të qershorit kemi pasur një komunikim për të gjithë planin e menaxhimit që dërgojmë në UNESCO si për Beratin, por edhe për Gjirokastrën. Ata nuk janë shprehur se donin pezullimin e punimeve sepse bie ndesh me vlerat e shtuara, por duan të sjellin ekspertëve të tyre për monitorim të punimeve të cilat po kryhen.

Zgjidhja që ne kemi propozuar në UNESCO lidhet me shumë problematika të tjera të qytetarëve, në rastin konkret me përroin e Nanxës i cili ka problematike me pjesën e eurozionit.

Po ashtu kemi integruar një tjetër projekt atë të restaurimit të urave të vjetra për të lidhur një tjetër unazë pedonale që kemi menduar t’i shtohet qytetit. Në fokusin tonë dhe nga rekomandimet e lëna nga UNESCO ne duhet të bëjmë të mundur që qendra historike të mos jetë më një hapësirë ku të kalohen makina.

Ndaj edhe rasti i parkimi të sheshit të Çerçizit shkon pikërisht në vijim të rekomandimeve të tyre. Faza në të cilën ne jemi është totalisht emergjente dhe është një fazë përgatitore për projektin që do të vijë më pas dhe patjetër ne do të presim edhe rekomandimet nga UNESCO”, ka thënë Margariti.

Margariti gjithashtu deklaroi se qëllimi i këtyre projekteve është rritja e turistëve, jo vetëm të të huajve por edhe atyre shqiptarë dhe me të gjitha aktivitet e hapura i jepen mundësia zhvillimit të turizmit, si edhe aktiviteteve ekonomike që i janë shtuar Gjirokastrës./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!