Punëtorët e fabrikës në Graçanicë që flasin shqip e serbisht

schedule08:31 - 17 Nëntor, 2021

schedule 08:31 - 17 Nëntor, 2021

Drilon Maliqi është shef i prodhimit në një fabrikë në Çagllavicë, Komuna e Graçanicës. Kjo komunë, me popullsi shumicë serbe, ndodhet jo shumë larg kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës.

Fabrika, ndër të tjera, merret me prodhimin e folieve të kuzhinës. Ka rreth 30 punëtorë, por në prodhim janë të punësuar vetëm serbë nga fshatrat e Komunës së Graçanicës.

Gjithsej janë shtatë dhe një prej tyre është Nemanja Gjorgjeviq, 24 vjeç. Ai ka filluar të punojë në kompaninë e prodhimit të folieve pesë vjet më parë, gati menjëherë pasi ka mbaruar shkollën e mesme.

Ai thotë se është i kënaqur që ka një punë dhe se puna në prodhim nuk është e vështirë.

“Nuk e shoh veten duke punuar në kafene. Më mirë kështu. Po, punoj te shqiptarët, por të gjithë njerëz jemi. Rëndësi ka të kesh një punë, të punosh, të mbijetosh”, thotë Nemanja për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka mësuar edhe bazat e gjuhës shqipe, kështu që mund të komunikojë pa problem me kolegët shqiptarë.

“Pak nga pak kam mësuar. Jo gjithçka, por të kuptohemi”, thotë Nemanja, me të cilin Radio Evropa e Lirë ka biseduar në Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, e cila shënohet çdo 16 nëntor.

Komuna e Graçanicës është njëra nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo njëra nga gjashtë komunat me shumicë serbe që nuk kanë lidhje gjeografikisht. Katër komunat e lidhura territorialisht janë në veri të Kosovës.

Çështja e pozitës së komunitetit serb është temë e negociatave që zhvillojnë Kosova dhe Serbia tash e dhjetë vjet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Një nga çështjet që po bllokon procesin e negociatave është mosformimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Beogradi insiston në krijimin e tij, ndërsa Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton.

Larg zyrave dhe sallave të konferencave, ku zhvillohen negociatat, vitet kalojnë për qytetarët e të dyja kombësive.

Shefi i Nemanjës është shqiptari Drilon Maliqi, i cili flet dhe kupton pak gjuhën serbe. Ai thotë se nuk e kanë asnjë problem në komunikim.

I pyetur se çfarë gjuhe përdorin kur flasin, Driloni thotë: “Gjysë, gjysë – pak ashtu, pak kështu”, duke aluduar se në komunikim përdorin edhe shqipen, edhe serbishten.

Nemanja thotë se punëtorët e fabrikës , shqiptarë dhe serbë, shoqërohen edhe jashtë punës.

“Ka kolegë që punojnë edhe në transport. Dalim shpesh për kafe apo birra dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme. Shkojmë me ta edhe në festën e Vitit të Ri”, tregon Nemanja.

Për pronarin e fabrikës, Memli Dushi, më e rëndësishme është që puna të kryhet në kohë, e jo kombësia e punëtorit.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se punëtorët i ka kërkuar edhe përmes reklamave në radion lokale në Graçanicë, sepse ka dashur të punësojë vendas.

Fabrika është hapur në vitin 1994 si biznes familjar në Prishtinë.

Më pas, në vitin 2015, ajo është shpërngulur në Çagllavicë. Serbët e punësuar në këtë fabrikë, kryesisht vijnë nga fshati fqinj, Llapna Sella.

“Ka qenë në interesin tonë që të kemi punëtorë vendas, së pari për shkak të transportit. Të sjellim punëtorë nga Prishtina, do të ishte kosto për ne. Dhe, djemtë që punojnë këtu, e kanë mirë, ata janë afër. Gjatë verës vijnë me biçikletë në punë”, thotë Dushi.

Përveç folieve të aluminit dhe vetëngjitëse, kompania prodhon edhe letër për pjekje, qese për ngrirje, si dhe ambalazhe për ushqime.

Çdo vit, fabrika prodhon më shumë se një ton folie, ndërsa pronari i fabrikës thotë se nuk kanë probleme me nxjerrjen e saj në tregun kosovar.

Ai thotë se ka në plan zhvillimin e eksportit.

“Fokusi ynë është tek eksportet. Tani për tani nuk eksportojmë shumë dhe synimi ynë është që fillimisht të depërtojmë në tregun e vendeve të rajonit. Kemi edhe një strategji për vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Dushi. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!