Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, deklaroi se sektori i hoteleri–turizmit po shënon rritjen më të shpejtë në Shqipëri. Ajo theksoi se mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore mbetet një sfidë serioze për këtë sektor. Manjani tha se po punohet për marrëveshje me vendet e BE-së që do të mundësonin punësim qarkullues, duke shfrytëzuar sezonalitete të ndryshme.
Sipas saj, i njëjti staf do të mund të punojë në Shqipëri gjatë verës dhe në vende të tjera gjatë dimrit. Ajo shtoi se synimi është krijimi i zgjidhjeve inovative që përfitojnë të gjitha palët dhe mbështesin ekonominë në rritje.
“Nëse flasim për sektorin me rritjen më të shpejtë, hoteleri–turizmi është ai që po zhvillohet me ritmin më të lartë. Punësimi qarkullues është një nga çështjet kryesore dhe jemi në tentativa për marrëveshje me vendet e BE-së. Sezonaliteti ndryshon sipas rajoneve; për shembull, në vende si Austria piku është në dimër ose në zonat malore të zhvilluara në dimër, ndërsa në Shqipëri piku është kryesisht gjatë verës.
Duke qenë se forca e kualifikuar e punës është problematike, kemi menduar për zgjidhje inovative, ku e njëjta forcë punëtore mund të punojë gjatë pikut të sezonit veror në Shqipëri dhe në dimër në një prej vendeve të tjera. Jemi ende në proces të gjetjes së zgjidhjes më të mirë, në mënyrë që të gjitha palët të përfitojnë.
Për sa kohë synojmë të aderojmë dhe të bëhemi pjesë e BE-së, duam të mundësojmë lëvizjen e lirë të punonjësve dhe mirëpresim flukse migratore të brendshme nga forcat e treta. Kemi nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar.” / abcnews.al /

