Punësimi i studentëve në administratë, Rama: Shtyhet afati për aplikimet

schedule13:42 - 30 Janar, 2019

schedule 13:42 - 30 Janar, 2019

Është shtyrë afati i aplikimit për punësimin në zyrat e administrates, të studentëve me master dhe Bachelor. Njoftimin e ka dhënë kryeministri Edi Rama në takimin e përjavshëm me koordinatorët e Bashkëqeverisjes.

Kanë ende kohë për të aplikuar për një vend pune në administratë studentët që kanë mbaruar shkëlqyeshëm. Njoftimin për shtyrjen e afatit të aplikimeve e bëri kryeministri Edi Rama.

Rama: “Do të bëjmë edhe një shtyrje të këtij afati për t’u dhënë mundësinë të gjithëve të aplikojnë në grupin e parë të vendeve të punës që janë shpallur dhe janë 800 vende me master dhe bachelor, për ata që kanë mbaruar vjet me 9-10 dhe për ata që mbarojnë sivjet, do të ketë përsëri shpallje të tjera të vendeve të lira të punës”.

Shtyrje të afatit do të ketë edhe për listat e disbursimit të tarifave.

Rama: “Për të disbursuar të gjithë studentët për tarifat, ne kemi nevojë për lista të sakta studentësh, lidhur me rezultatet e tyre, me situatën e tyre sociale dhe ekonomike, e kjo ka marrë pak kohë për sekretaritë e universiteteve”.

Platforma e bashkëqeverisjes ka hapur një rubrikë të posacme : “Jam student dhe kam një pyetje” ku deri më tani janë adresuar rreth 900 pyetje nga studentët lidhur mbi Paktin për Universitetin.

Rama: “Dhe vetëm 20 prej tyre ende nuk kanë marrë përgjigje sepse ato procedohen me vëmendje nga Ministria e Arsimit dhe marrin përgjigje në kohë reale dhe të gjitha do të marrin përgjigje”.

E  mërkura sjell nga kjo sallë e kryeministrisë edhe dëshmi të qytetarëve që kanë zgjidhur brenda 10 ditëve probleme që nuk kanë marrë përgjigje prej vitesh.

Qytetari: “Kam që në 2005 që zvarritem. Shkova aplikova dhe më kishin çuar në Kashar, banues në Kashar. Unë vendali në Tiranë. Ia certefikata, vetëm falë këtij burri këtu”.

Ankesat e drejtuara në platformën e bashkëqeverisjes kanë ndëshkuar 643  punonjës të administratës shtetërore, 300 prej të cilëve janë larguar nga puna./abcnews.al