Deputeti i PS Lavdrim Krashi, në emisionin “Real Story” në ABC News komentoi skenën politike shqiptare. Krashi gjatë intervistës, u shpreh se të qenit deputet është një përgjegjësi, por edhe privilegj i madh. Megjithëse do t’i mungojë parlamentit të ri, ai shtoi se mënyra më e mirë për t’i shërbyer qytetarëve është të qënurit kritik konstruktiv, duke shtuar se një gjë të tillë nuk ka ngurruar ta bëjë.
“Të gjithë kandidatët për deputetet për mua janë njerëz të papunë që gjatë fushatës elektorale janë në intervista pune. Ndërkohë qytetarët e kanë të qartë se kush është qasja e qeverisë dhe nëse u pëlqen vazhdojnë me të. Për mua si një anëtar i parlamentit puna 2021-2025 ka qenë puna e 15 dhe krejt natyrshëm do kaloj nga puna e 15 në punën e 16. Të qenit anëtar i parlamentit, është përgjegjësi dhe privilegj i madh, në kuptimin e saj se çfarë përfaqëson, shërbëtor publik, jo abuzues publik. Kjo është një përgjegjësi publike kështu e kam parë dhe vazhdoj ta shikoj edhe tani që nuk jam. Dua të them që ka një sërë faktorësh që merren parasysh para se të vendoset, nuk të merr njeri mezor, edhe qëndrimi që mban tregon shumë. Unë mendoj që mënyra më e mirë për t’i shërbyer qytetarëve dhe partisë është të qenit kritik konstruktiv dhe unë me këtë nuk bëj kompromis asnjëherë. Puna më e madhe është në komisionet parlamentare dhe prandaj ne ndahemi në komisione të ndryshme parlamentare për të dhënë eksperiencën në të mirë të vendit. Patjetër partitë politike kanë forumet e tyre, kanë nga ata që bëjnë kompromis, unë nuk e fus veten tek ata. Nëse ka diçka të gabuar unë do ta them”, tha ai.
/abcnews.al/