Puigdemont: “Jam i gatshëm të kandidoj për zgjedhjet parlamentare në Katalonjë”

schedule20:27 - 3 Nëntor, 2017

schedule 20:27 - 3 Nëntor, 2017

Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puixhdemon, është shprehur i gatshëm të kandidojë në zgjedhjet e parakohëshme të caktuara nga qeveria e Madridit për në 21 dhjetor. Ai tha se nuk do kthehet në Spanjë, ndërsa fushatën do e zhvillojë nga Belgjika.

Karles Puixhdemon është rishfaqur në Bruksel. Ish-presidenti i Katalonjës, i cili u arratis për në Belgjikë që nga e hëna, ka dhënë një intervistë në stacionin televiziv publik RTBF. Në prononcim ai ka treguar se është i gatshëm të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme rajonale të 21 dhjetorit.

Në intervistë, Puixhdemon nuk la të kuptohet se ka për qëllim të kthehet në Spanjë. “Unë mund të bëj fushatë kudo në botë, sepse ne jemi në një botë të globalizuar”, tha ai. Brenda strategjisë për të ndërkombëtarizuar çështjen e pavarësisë së Katalonjës, presidenti i shkarkuar justifikoi ikjen në Belgjikë si një mënyrë për t’i “shpjeguar botës se çfarë ndodh në Spanjë”. Puixhdemon gjithashtu është shprehur me bindje se qeveria e tij është i vetmi ekzekutiv me vlefshmëri ligjore pavarësisht shkarkimit të tij. “Drejtësia spanjolle nuk garanton asgjë, ne e konsiderojmë veten një qeveri legjitime, nënvizoi lideri separatist.

Politikani katalanas ka hedhur dyshimin se zgjedhjet e fundvitit nuk do të mbahen në kushte normale. “Do të ketë zgjedhje më 21 dhjetor dhe duam që këto zgjedhje të zhvillohen në kushtet më normale dhe nuk do të jetë me një qeveri në burg se këto zgjedhje janë neutrale, të pavarura dhe normale”, tha ai.

Të enjten prokuroria spanjolle lëshoi një urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj Puixhdemon, i cili e konsideron veten president i Katalonjës në ekzil. Gjithashtu edhe 8 ministra të tij, që dëshmuan në seancën gjyqësore në Madrid, u arrestuan ditën e enjte. Të gjithë këta akuzohen për rebelim, kryengritje dhe shpërdorim fondesh publike. Zyrtarët e shkarkuar rrezikojnë deri në 30 vite burg./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!