Ministrja Besa Shahini pasditen e kësaj të enjtje ka njoftuar mbi publikimin e udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020-2021.
Shahini përmes një videomesazhi në Facebook, thekson se sot është botuar udhëzuesi që tregon për skenarët e ndryshëm, të cilët do të zbatohen në shkolla të ndryshme për të siguruar distancimin social.
“Sot është botuar udhëzuesi i ASCAP që tregon për skenarët e ndryshëm, të cilët do të zbatohen në shkolla të ndryshme për të siguruar distancimin social, shëndetin e nxënësve dhe mësuesve, kur të kthehemi në shkolla“, thekson ajo.
Në lidhje me pyetjen se “pse po vazhdohet me xhirimet në RTSH Shkollë kur është deklaruar që shkollat do të hapen“, ndër të tjera Shahini sqaron se ky kanal i dedikuar do të transmetojë të njëjtat orë mësimore që do të zhvillohen në shkollë në mënyrë që nxënësi të ketë mundësi të ndjekë leksionet edhe në rast se qëndron në shtëpi.
Ministrja Shahini jep përgjigje gjithashtu se si do të veprohet nëse një nxënës apo mësues do të dalë pozitiv me Covid-19:
“Protokollet e sigurisë së shëndetit e përcaktojnë qartë se si do të veprohet në rast se një nxënës, një mësues, apo një grup nxënësish del që është infektuar me Covid-19. Tamponimi ndodh për të gjithë grupin. Mbyllet klasa apo e gjithë shkolla në rast se klasa ka patur komunikim apo kontakt me të tjerët dhe për një periudhë kohore të paracaktuar, që mund të jenë 2 apo 3 javë, grupi i nxënësve që do të jetë karantinuar do të vijojë mësimin në kushte shtëpie. Kjo është dhe arsyeja pse RTSH Shkolla do të punojë paralelisht me të gjithë procesin mësimor që do të zhvillohet në objektet shkollore“, shprehet ajo.
Ndërsa pyetjes se si do të rregullohet ngarkesa mësimore e mësuesve, nëse ata do të punojnë me më shumë turne dhe a do të shtohet numri i mësuesve.
Ministrja Shahini i përgjigjet se tashmë ato kanë planifikuar shtimin e numrit të mësuesve sipas nevojave. Nëse sëmuret një mësues apo nëse do duhet të mbulohen turne, ne kemi buxhet tashmë të shtuar për të mbuluar çfarëdo nevoje që mund të dalë gjatë vitit për të siguruar një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit mësimor./abcneës.al