Përgjigja e SHBA ndaj sulmit me dron në Jordani që vrau dhe plagosi pjesëtarë të shërbimit amerikan të dielën ka të ngjarë të jetë më e fuqishme se sulmet e mëparshme hakmarrëse amerikane në Irak dhe Siri, sipas zyrtarëve amerikanë.
Presidenti Joe Biden është nën presion në rritje për t’u përgjigjur këtyre sulmeve në një mënyrë që të ndalojnë përgjithmonë. Militantët e mbështetur nga Irani kanë shënjestruar objektet ushtarake amerikane në Irak dhe Siri mbi 160 herë që nga tetori, dhe disa ligjvënës republikanë kanë bërë thirrje që SHBA të godasë drejtpërdrejt brenda Iranit për të dërguar një mesazh të qartë.
Por sfida më e madhe tani për administratën Biden është se si t’i përgjigjet sulmit me dron, pa shkaktuar një luftë rajonale. Zyrtarët amerikanë kanë thënë vetëm se grupi iranian Kataib Hezbollah duket se e ka mbështetur sulmin.
SHBA-ja ka fajësuar grupet e mbështetura nga Irani dhe Pentagoni tha se mbante “gjurmët” e Kataib Hezbollahut, ndërsa përsëriti gjithashtu se SHBA nuk dëshiron një luftë me Iranin.
“Ne nuk kërkojmë luftë, por do të ndërmarrim veprime dhe do t’i përgjigjemi sulmeve ndaj forcave tona”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.
Sipas mediave amerikane, të cilat citojnë një zyrtar amerikan, thuhet droni i përdorur në sulm dukej se ishte i prodhuar nga Irani. Zyrtari tregoi se ishte një “lloj droni Shahed”, i cili është një dron sulmues i njëanshëm që Irani i ka ofruar Rusisë.
Irani ka mohuar akuzat e SHBA-së dhe Britanisë se ka mbështetur grupet militante të fajësuara për sulmin.
Qeveria amerikane ka publikuar emrat e tre trupave të vrarë nga sulmi me dron në Jordani të dielën. Rreshteri William Jerome Rivers, 46 vjeç, specialisti Kennedy Ladon Sanders, 24 vjeç dhe specialistja Breonna Alexsondria Moffett, 23 vjeç u vranë kur një dron goditi njësinë e tyre të banimit. Sipas Pentagonit, tre ushtarët e vrarë të dielën në mëngjes vinin nga një njësi rezervë e ushtrisë me bazë në Fort Moore, në shtetin e Xhorxhias.
Gjenerali Jody Daniels, Shefi i Rezervës së Ushtrisë dhe Komandanti i Komandës së Përgjithshme të Rezervës së Ushtrisë Amerikane, bëri homazhe për ushtarët e rënë.
Sulmi me dron ndodhi në Rukban, në veri-lindje të Jordanisë, pranë kufirit me Sirinë. Baza u emërua më vonë nga zyrtarët amerikanë si Kulla 22.
/abcnews.al