Dashuria e ekzagjeruar për të bijën, këmbëngulja për të komanduar jetën e saj, janë këto disa nga arsyet që shtynë Aleko Petron të vrasë vajzën e tij në Korfuz. Deklarata u dha nga avokati i vrasësit në një intervistë për mediat greke.
Avokati i Aleko Petros, që akuzohet për vrasjen e vajzës së tij Anxhelina, ka treguar detaje të reja mbi debatin mes të dyve që pati përfundim tragjik. Duke folur për televizionin “Star”, avokati Vasilis Nulezas, përgënjeshtroi faktin se autori i vrasjes kishte ushtruar edhe më parë dhunë ndaj të bijës.
Sipas avokatit, “ajo çka shkaktoi krimin e tmerrshëm, ishte dashuria e ekzagjeruar, interesimi i jashtëzakonshëm dhe këmbëngulja e tij e pajustifikueshme që të vendoste për jetën personale, profesionale dhe shpirtërore të vajzës së tij”.
Avokati tha se Aleko kundërshtonte lidhjen e të bijës me shtetasin afgan, jo për motive raciste. Po për faktin se që nga Nëntori 2017 ajo ishte larguar nga i ati dhe të afërmit e tjerë. Avokati tha se Petro nuk ishte nën ndikimin e alkoolit gjatë kryerjes së krimit. Sipas avokatit, vrasja nuk ishte e paramenduar.
Pas debatit ai e goditi me levën e hekurit që ishte pranë sobës. Vajza u hodh nga dritarja, nga një lartësi 2 metra që të shpëtonte. Aleko e ndoqi dhe finalizoi aktin kriminal, pasi iu errësuan sytë.
“Është penduar, qan vazhdimisht”, tha avokati.
Ai shtoi se Aleko Petro i tha që do të donte të ishte ai në vend të vajzës së vrarë dhe se në gjyq nuk do të kërkojë të shqyrtohet asnjë rrethanë lehtësuese./abcnews.al