Publikohen datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2022, prezantohet edhe regullorja

schedule17:30 - 15 Shkurt, 2022

schedule 17:30 - 15 Shkurt, 2022

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi prezantoi sot Rregulloren e Maturës Shtetërore 2022, gjatë një takimi me maturantë nga gjimnaze të ndryshme të vendit.

Ministrja Kushi gjatë fjalës së saj ka theksuar se në bashkëpunim me të gjitha institucionet e varësisë do të merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e të gjithë procesit të Maturës Shtetërore.
Prioritet në maturën e këtij viti do të jetë rritja e mëtejshme e cilësisë që nga hartimi i testit, administrimi i procesit dhe vlerësimi i provimit të maturës. Një vëmendje të veçantë do të ketë trajnimi i mësuesve të përfshirë në proces, hartuesit, administruesit, vlerësuesit, si dhe të gjithë mësuesit e angazhuar në gjimnaze për të përgatitur maturantët.

Datat e provimeve do të jenë 9 Qershor për Gjuhën e Huaj, 11 qershor për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, 17 qershor për Matematikën dhe 24 qershor për lëndët me zgjedhje.

Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.

Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut.

Të pranishëm në këtë prezantim ishin gjithashtu edhe Zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Nina Guga, Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave, Znj. Zamira Gjini dhe drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Znj. Aurora Balliu.

Ministria e Arsimit do të zhvillojë një tur të gjerë takimesh në qytete të ndryshme të vendit për të informuar dhe konsultuar më mirë me maturantët dhe mësuesit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!