Psikologe në Itali/ Albana Loka flet për rrugëtimin e vështirë nga Vlora në Bolzano

schedule12:03 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 12:03 - 7 Dhjetor, 2020

Nga Enkeleda Bodini

Nganjëherë zgjedhjet që bëjmë në jetë janë shumë të vëshira dhe sfiduese në momentin që marrimin vendimin, por janë të nevojshme. Me kohën kuptojmë se, kemi bërë zgjedhjen e duhur, pavarësisht të gjithave. Kështu ka ndodhur dhe ne Albana Lokën, me të cilën abcnews.al do ju njohë sot.

Albana është një psikologe e suksesshme në Itali. Në moshën 18-vjeçare ajo, edhe pse e pati shumë të vështirë, e pa të domosdoshme të largohej jashtë vendit me studime, që e ardhmja e saj të ishte më e ndritur.

“Gjatë gjimnazit, kuptova qartë brenda meje që kisha nevojë për t’u larguar nga realiteti shqiptar, sidomos për vështirësitë e lidhura me rolin e femrës. Kuptova që arsimimi i vazhdueshëm është rruga më e mirë për lirinë time”, shprehet ajo për abcnews.al.

Dhe kështu ndodhi. Albana pas mbarimit të gjimnazit në Vorë, në vitin 2003 u largua nga familja e saj dhe Shqipëria, fizikisht, për të nisur një jetë krejt të re dhe ndryshe.

Fillimet nuk janë asnjëherë të lehta, sidomos kur ndodhesh në një vend të huaj. Albana tregon se për të ka qenë shumë e vështirë, por ia doli. Ia doli të mbante bursën, të ishte studente shumë e mirë dhe pse bënte edhe punë në të njëjtën kohë.

“Familja ime nuk kishte mundësi ekonomike për të mbështetur këtë rrugëtim timin. Unë arrita të mbaja bursën e studimit gjatë gjithë karrierës universitare. Ndërkohë kam bërë punë të ndryshme si, bariste, kamariere, hostest etj”, tha ajo.

Pavarësisht gjithçkaje, vjen një ditë kur e gjithë lodhja dhe sakrifika, të shpërblehen. Ajo arriti të përfundonte me sukses Universitetin në Parma dhe dy mastera në Romë dhe Bolzano. Më pas ka bërë dhe shkollën e Psikoterapisë në Veneto. Tashmë Albana është koordinatore në një klinikë që trajton varësitë të sjelljes, në Bolzano. Gjithashtu ka dhe studion e saj private ku trajton më tepër tema familjare.

Përveç profesionit si psikologe, Albana është e dhënë dhe pas politikës, ku jep kontributin e saj për tema shëndetësore dhe sociale. Këtë vit ajo ishte kandidate për këshillin bashkiak të Bolzanos, në Itali.

Për Albanën politika është një këndvështrim i ri për të parë ndryshimin në nivel makro, ndërsa Psikologjia është ajo që më së shumti do të bëjë në jetë. Të njohë qenien njerëzore, pikësëpari veten.

Albana, pavarësisht se jeton në Itali, sytë i ka dhe nga Shqipëria, vendi i saj i lindjes. Për të, atdheu është dashuria e pamundur, është një boshëllëk i papërmbushur, është nostalgji si diçka që mund të ishte, por që nuk është.

Si një vazjë që bëri hapin e duhur dhe mori guximin të largohej nga familja për një të ardhme më të sigurt, Albana ka një këshillë për të rinjtë me një shprehje shumë goditëse. “Pika e ujit e ndryshon formën e shkëmbit, jo për forcën që ka, por te konstanca që bie”.

Albana është një shqiptare e suksesshme në Itali, me të cilën ne krenohemi. Shqiptarë të tillë janë të shumë, jo vetëm në Italinë mike, por edhe në Francë, Gjermani, Amerikë e kudo në botë. Mjafton që ne t’i tregojmë dhe ju t’i njihni, sa të mrekullueshëm janë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!