Sfida e mbrëmjes së kaluar në Champions League kundër Leipzig, ishte një finale e parakohshme për PSG. Kampionët e Francës ia dolën të triumfonin 1-0 falë golit të Neymar nga pika e bardhë. Marrja e tre pikëve ishte detyrim, djemtë e Thomas Tuchel ia dolën, edhe pse nuk shkëlqyen.
Trajneri gjerman ndihet i lumtur, teksa gara në grupin H është shumë e fortë dhe interesante. Katër ndeshjet e para janë luajtur deri tani dhe Manchester United kryeson me 9 pikë. Më pas renditen PSG dhe Leipzig me nga 6 pikë, teksa Basaksehir numëron vetëm 3 të tilla.
“Të gjithë e dinin që na duhej fitorja me çdo kusht dhe ia dolëm ta merrnim. Djemtë e mi luajtën me zemër, teksa duhet pranuar që ishte një ndeshje shumë e vështirë. Nëse ju mendoni se loja e bukur ka më shumë rëndësi se fitorja, ky është opinioni juaj. Unë mendoj ndryshe, vetëm fitorja kishte rëndësi dhe ne fituam.
Më pëlqeu shumë fakti që ekipi luajti me zemër, ishim solidë, ndihmuam njëri-tjetrin dhe të gjithë sakrifikuan. E di që mund të bëjmë më mirë se kaq. Gjithsesi, nuk mund të kërkoj më shumë për momentin. Është e thjeshtë, kishim nevojë për tre pikët dhe ia dolëm t’i marrim“, deklaron trajneri gjerman. /abcnews.al