Lazio po luan bukur dhe po fiton. Bardhekaltrit po zhvillojnë një sezon fantastik dhe janë në garë për fitimin e Serie A. Paraqitjet pozitive të skuadrës italiane kanë shtuar interesimin e klubeve të ndryshme për yjet e Simone Inzaghit.
PSG ka preferenca të shumta te Lazio dhe Leonardo po përgatit një operacion të trefishtë. L’Equipe raporton se drejtori sportiv i kampionëve të Francës pëlqen shumë Simone Inzaghin. Vështirë që Thomas Tuchel të konfirmohet edhe sezonin tjetër në stol dhe trajneri i Lazios shihet si i duhuri për ta zëvendësuar.
Edhe Max Allegri mbetet alternativë serioze, por kuotat e Inzaghit po rriten. Objektivi tjetër është Sergej Milinkovic-Savic. Braziliani e donte mesfushorin edhe kur ishte pjesë e Milanit, teksa nevojiten të paktën 100 milion euro për t’ia rrëmbyer Lazios.
Objektivi i tretë është Adam Marusic. 27-vjeçari aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe mesfushës, teksa është kthyer në një titullar fiks të skuadrës italiane. Leonardo është gati të nisë ofensivën, edhe pse do të jetë e vështirë që Igli Tare të heqë dorë nga trajneri dhe dy lojtarët sllavë. /abcnews.al