Mesfushori i Juventusit, Emre Can duket se është drejt largimit nga Italia. Minutat e pakta në fushën e lojës si dhe yjet e shumtë në mesfushën e Juves e kanë detyruar gjermanin ta mendojë seriozisht largimin. Sipas Le10sport, deri më tani klubet favorite për të transferuar Canin janë Bayern Munchen dhe francezët e PSG-së.
Në sezonin e dytë me “Zonjën e Vjetër”, gjermani nuk po kalon një moment të mirë nën urdhrat e trajnerit Sarri. Vitin e kaluar ai luajti në 37 ndeshje, ndërsa këtë sezon Can ka luajtur vetëm 4 ndeshje gjithmonë si zëvendësues. Gjithashtu, 25-vjeçari u la jashtë listës së Champions-it duke mos e pritur aspak mirë këtë veprim.
PSG-ja duket më e interesuar për shërbimet e mesfushorit edhe pse nuk i mungojnë kualitet në ekip. Një dëmtim i Idrissa Gueye e ka detyruar bordin e klubit francez për tu futur në merkato pasi kërkojnë që stoli të jetë gjithmonë i plotë dhe i gatshëm për të dhënë më të mirën në fushë. Duke parë fuqinë ekonomike të francezëve shumë shpejt mund ta shikojmë Emre Canin me fanellën e PSG-së. /abcnews.al