Nga William Cook, The Spectator
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Në Riga, kryeqyteti i Letonisë, ekziston një ndërtesë që zbulon pse shtetet baltike tregojnë kaq shumë kujdes ndaj Rusisë. Nga rruga, nuk mund të shohësh shumë, vetëm një tjetër bllok apartamentesh në një bulevard të mbushur plot me dyqane dhe kafene.
Por në një tabelë shkruhet: “Gjatë okupimit sovjetik, KGB-ja burgosi, torturoi, vrau dhe poshtëroi moralisht viktimat e saj në këtë ndërtesë.’ Shumica e kalimtarëve mezi i hedhin një shikim për herë të dytë. Ata e dinë shumë mirë këtë histori.
KGB-ja e mori këtë bllok apartamentesh në vitin 1991 kur Letonia rifitoi pavarësinë e saj, por mbi 30 vite më vonë kujtimet nuk kanë ndryshuar. Gjatë pushtimit të parë sovjetik, nga viti 1940 deri në vitin 1941, në këtë ndërtesë u ekzekutuan rreth 200 disidentë.
Gjatë pushtimit të dytë sovjetik, nga viti 1944 deri në 1991, 48,000 vendas u hetuan për të gjitha llojet e ‘veprave anti-sovjetike’ . Disa u liruan, ndërsa shumë të tjerëu dërguan në Siberi. Disa thjesht u zhdukën, raporton abcnews.al.
Aty ndodhet dhoma e marrjes në pyetje, dhoma e ekzekutimit dhe qelitë ndodhen në bodrumin poshtë. Megjithatë, tipari më shqetësues është kutia e letrave në holl. Këtu letonezët mund të postojnë letra duke akuzuar fqinjët e tyre për ‘aktivitet kundër-revolucionar’. Përkufizimet e aktiviteteve të tilla ishin mjaft të paqarta.
“Një veprim kundër-revolucionar është çdo veprim që synon përmbysjen, minimin ose dobësimin e pushtetit të sovjetikëve punëtorë dhe fshatarë”, thuhet në nenin 58 të Kodit Penal Sovjetik.
Shkeljet përfshinin shakatë jo të përshtatshme dhe dëgjimin e radios perëndimore. Herën e fundit që vizitova këtë ‘Shtëpi në qoshe’ (siç e quajnë Letonezët) , Rusia sapo kishte pushtuar Krimenë dhe vendasit ishin të tmerruar.
Kjo ndërtesë ishte një relike e keqe e një epoke të errët që letonezët supozonin se ishte tani pas tyre.
Pushtimi rus i Krimesë riktheu sërish frikën. Pas një flirti të shkurtër me Perëndimin, a kishte vendosur Rusia të ndiqte një rrugë të re: të rivendoste kufijtë e vjetër të BRSS, kufijtë që përfshinin Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, të njohura si Shtetet Baltike?
Për perëndimorët, pushtimi i Rusisë në Ukrainën kontinentale ishte një kambanë alarmi por për banorët e shteteve baltike ishte më shumë e njëjta gjë.
Anëtarësimi në NATO u jep këtyre tre vendeve atë lloj mbrojtjeje që ukrainasit mund ta ëndërrojnë vetëm, por për këto ish-republika sovjetike, lufta në Ukrainë është shumë pranë shtëpisë së tyre.
Kisha vizituar Letoninë dhe Estoninë disa herë që kur Rusia pushtoi Krimenë, por nuk isha kthyer që kur Rusia pushtoi Ukrainën kontinentale. Kështu, kur u ftova të isha pjesë e një turneu të vogël në ish-vendet ushtarake në Letoni dhe Estoni (krahas dy gazetarëve holandezë dhe një daneze), nuk kisha asnjë nevojë të bindesha.
Dukej si një mundësi ideale për të vlerësuar se si kishte ndryshuar çdo gjë në shtetet baltike. Gjurma e trashëgimisë ushtarake estoneze-letoneze është një rrjet i madh me 173 vende të përhapura në të dy vendet – kazerma, bunkerë, fortifikime që datojnë nga shpërbërja e Rusisë cariste deri në ditët e vdekjes së BRSS.
Do t’ju duheshin disa muaj për t’i parë të gjitha, por edhe të vizitosh disa vende të jep një pasqyrë intime në historinë e trazuar të këtij rajoni, në një kohë kur ato konflikte historike nuk ndihen më të kufizuara në të kaluarën e largët, raporton abcnews.al.
Që Letonia dhe Estonia po punojnë së bashku në këtë projekt është diçka pozitive ndonëse këto dy vende kanë mjaft dallime, historitë e tyre të fundit janë të ngjashme. Të kolonizuar nga Rusia cariste, ata u bënë të pavarura pas Revolucionit Rus, vetëm për t’u pushtuar nga Rusia në fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1941 nazistët dëbuan rusët dhe vendosën një tirani të tyren; në vitin 1944 Ushtria e Kuqe dëboi nazistët dhe përfshiu të dy vendet (së bashku me Lituaninë) në BRSS.
Për gjysmë shekulli Letonia dhe Estonia u zhdukën nga harta e Europës, duke u rishfaqur më në fund si shtete të pavarura (krahas Lituanisë) pas rënies së BRSS.
Megjithatë, pushtimi sovjetik ende duket si lajm i fundit. Kushdo mbi 40 vjeç ka kujtime të qarta. Të gjithë kanë përralla për të treguar. Me 200,000 trupa sovjetike të stacionuar në një vend me një popullsi prej gati dy milionësh, Letonia ishte një nga republikat më të militarizuara në BRSS dhe Estonia nuk ishte shumë pas.
Kur ato trupa sovjetike u tërhoqën, ata lanë pas një grup të madh instalimesh ushtarake. Këto relika fantazmë të Luftës së Ftohtë përbëjnë një paralajmërim nga historia – një kujtesë e përfshirjes së gjatë të Rusisë në këtë rajon.
Kjo histori e kontestuar mishërohet nga mosmarrëveshja e fundit mbi të ashtuquajturin Monument të Fitores së Rigës. I ngritur nga BRSS, ky “Monument për Çlirimtarët e Letonisë Sovjetike dhe Rigës nga pushtuesit fashistë gjermanë” ka qenë një fokus i polemikave të ashpra që kur Letonia rifitoi pavarësinë e saj.
Për komunistët që e ndërtuan, ky ishte një nderim për ushtarët që mundën Hitlerin. Megjithatë, për shumë vendas, ky nuk është vetëm një memorial lufte, por një monument për pushtimin dhe kolonizimin e Letonisë nga Stalini.
Letonia ka një pakicë të madhe rusisht-folëse, rreth një e katërta e popullsisë. Të sjellë këtu nga sovjetikët, në një kohë kur shumë letonezë u dëbuan në pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik, shumë prej këtyre rusishtfolësve ruajnë lidhje të ngushta kulturore me Rusinë, raporton abcnews.al.
Ndër disa anëtarë të këtij komuniteti, planet për çmontimin e Monumentit të Fitores kanë nxitur kundërshtime të ashpra. Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës ka prishur ekuilibrin. Në maj, parlamenti letonez vendosi të heqë këtë monument.
U nisëm me makinë për në Mangalsala, në grykëderdhjen e lumit Daugava. Kjo është hyrja detare në Riga, një port i rëndësishëm që nga Mesjeta, dhe kështu dikur ka qenë shumë i fortifikuar. Por sot jo më.
Vetë armët janë zhdukur prej kohësh, por bunkerët e betonit që i ruanin kanë mbetur. Shumica e tyre janë sovjetikë, por disa janë gjermanë, letonezë, madje edhe caristë.
Duke u endur rreth këtyre pyjeve, kupton se sa të dhëna ka në historinë e Letonisë. Një memorial sovjetik, gjysmë i fshehur në pemë, përkujton letonët që vdiqën duke luftuar për kryengritësit në Revolucionin rus të dështuar të vitit 1905.
Në Riga atë mbrëmje, ne kaluam me makinë pranë memorialit sovjetik për pushkatarët e Kuq Letonez, ushtarë letonezë që dezertuan ushtrinë e Carit për të luftuar për Leninin në revolucionin e 1917. Gjysmë shekulli i sundimit sovjetik e shëroi Letoninë nga simpatia e saj bolshevike, por do të ishte e pandershme të pretendonim se ajo nuk është një pjesë e rëndësishme e së kaluarës së vendit.
Ditën tjetër u nisëm me makinë në drejtim të perëndimit, drejt bregut të Balltikut, duke u ndalur gjatë rrugës në një bunker të Forest Brothers – një tjetër episod i harruar në historinë e këtij rajoni.
The Forest Brothers është emri i zakonshëm që u jepet partizanëve letonezë, estonezë, të cilët zhvilluan një fushatë të fuqishme guerile kundër pushtuesve të huaj: kundër Ushtrisë së Kuqe në 1940, kundër nazistëve nga 1941 deri në 1944, dhe më pas kundër Ushtrisë së Kuqe përsëri nga 1945.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, ata shpresonin se Aleatët do të rivendosnin pavarësinë e tyre. Në vend të kësaj, ata u shkatërruan nga Stalini. Të paprekur, ata vazhduan të luftonin deri në mesin e viteve 1950, raporton abcnews.al.
Gjatë pushtimit sovjetik, ishte e pamundur të përkujtohej kjo lëvizje e rezistencës. Ne vazhduam të ecnim me makinë pa pushim, përmes pyjeve të pafundme, në një nga pjesët më të egra të Letonisë.
Destinacioni ynë ishte Qendra Ndërkombëtare e Radio Astronomisë Ventspils, një radio teleskop me diametër mbi 100 metra, një nga më të mëdhenjtë në botë. Sot përdoret për vëzhgimin e yjeve, por gjatë Luftës së Ftohtë është përdorur për të përgjuar NATO-n.
E mbuluar në fshehtësi gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, e gjithë zona ishte e ndaluar. Funksioni i saj u bë i dukshëm vetëm kur trupat ruse u larguan në vitin 1993. Disa nga kazermat përreth janë shkatërruar, të tjera thjesht janë braktisur.
Në një nga ndërtesat ndodhet një muze i improvizuar. Është koleksioni i zakonshëm i veglave sovjetike, por kujtimet që më tërhoqën vërtet vëmendjen ishin fotografitë e ushtarëve të rinj që buzëqeshnin para kamerës.
Ishte kjo koha më e keqe për këta të rinj apo më e mira?
Unë nuk mund ta them me siguri. Në ditën tonë të tretë, udhëtuam drejt lindjes, drejt Estonisë, duke u ndalur në bunkerin sekret sovjetik në Ligatne – 2000 metra katrorë zyra dhe konvikte, të groposura nëntë metra nën tokë.
I ndërtuar për t’i bërë ballë një sulmi bërthamor dhe pasojave të tij radioaktive, ai kishte për qëllim të strehonte 250 funksionarë kyçë komunistë, të cilët jetonin për tre muaj nën tokë.
Dukej e çuditshme dhe mjaft drithëruese duke ecur rreth këtij labirinti nëntokësor, duke vëzhguar pajisjet e vjetruara sovjetike që rusët kishin lënë pas. Megjithatë, për mua, aspekti më i paharrueshëm i turneut tonë nëntokësor ishte udhërrëfyesi ynë, Nadiya, një refugjate ukrainase.
Ajo personifikoi lidhjen e ngushtë midis këtyre vendeve të Luftës së Ftohtë dhe luftës së re të Rusisë në Ukrainë. Duke folur me të, është e qartë se ky bunker është më shumë se një atraksion turistik. “Për mua, është një kujtesë për ato kohë për të mos harruar se si ishin ato vite”, tha ajo.
Në ditën tonë të fundit, morëm tragetin për në Hiiumaa, një nga ishujt më të mëdhenj të Estonisë. Udhërrëfyesi ynë estonez, Ain, na takoi jashtë varkës. Një vendas në Hiiumaa, ai ka mbledhur pajisjet e muzeut të tij ushtarak në një bazë të vjetër sovjetike në pyll. Është plot me pajisje ushtarake, të shpëtuar nga i gjithë ishulli.
Ain na çoi në një turne në ishull. Ashtu si pjesa më e madhe e vijës bregdetare të Estonisë, këto vende ishin të ndaluara për vendasit, raporton abcnews.al.
“Nuk ju lejohej të dilnin në det dhe as në bregdet”, tha Ain.
Kullat e vrojtimit përgjatë bregut nuk ishin vetëm aty për të parë anijet e armikut. Ata ishin gjithashtu atje për të parë estonezët që përpiqeshin të arratiseshin në Perëndim përtej ujit. Mezi 30 vite më vonë, nuk ka mbetur dhe aq shumë për të parë.
Në hollin e hotelit tonë, gjeta një kopje të gazetës lokale. Faqja e parë tregonte një tank të Ushtrisë së Kuqe. Një memorial i luftës sovjetike në Narva, qyteti më lindor në Estoni, i vështirë përballë kufirit rus, po hiqej, i destinuar për një muze ushtarak.
Monumente të ngjashme këtu në Hiiumaa duken të destinuara për të njëjtin fat. Ain na tregon një memorial lokal lufte, kushtuar ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe. Ain shpreson të ruajë këtë memorial të luftës dhe të tjerë si ai, në muzeun e tij ushtarak.
Ai mendon se është vendi më i mirë për ta, dhe unë jam dakord. Ato janë pjesë e historisë së shteteve baltike dhe nuk duhen harruar, por as nuk duhen nderuar.
“Ne nuk po bëjmë propaganda, po mbledhim dhe tregojmë informacione”, tha ai. Për mua, kjo frazë dukej se përmbledh të gjithë udhëtimin. Nuk ka asgjë didaktike për këto objekte ushtarake.
Letonezët dhe estonezët nuk po bëjnë propagandë. Ata thjesht po i tregojnë botës se çfarë ndodhi këtu, diçka që nuk u lejuan ta bënin kurrë gjatë pushtimit sovjetik. Vizitorët janë të lirë të nxjerrin konkluzionet e tyre dhe përfundimi që nxora nga kjo vizitë e shkurtër ishte se paqja dhe liria janë të pasigurta veçanërisht këtu.
“Ti je dënuar si kriminel nëse ke ngritur flamurin tonë kombëtar”, tha Ain. “Ne donim të bëheshim të lirë. Kjo u realizua dhe pjesa tjetër ka qenë në duart tona.’
Por vetëm për shkak se ato ditë të këqija të së kaluarës kanë mbaruar, kjo nuk do të thotë se Lufta e Ftohtë ka përfunduar ose se BRSS është histori e lashtë. Kjo ishte ajo që ne në Perëndim na pëlqente t’i thoshim vetes gjatë këtyre 30 viteve të fundit, por pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi gjithçka.
Dallimi midis Europës Perëndimore dhe shteteve baltike është se shtetet baltike nuk kishin nevojë të prisnin derisa Rusia të pushtonte Ukrainën kontinentale.
Ata e dinin se gjërat kishin ndryshuar në vitin 2014 kur Rusia pushtoi Krimenë.
Ndërsa po largohesha nga Hiiumaa mëngjesin tjetër, me një aeroplan të vogël për në Talin, m’u kujtua diçka që Nadiya, udhërrëfyesi ynë ukrainas, kishte thënë teksa na tregonte rreth atij bunkeri sekret në Ligatne, ku të mëdhenjtë sovjetikë të Letonisë planifikonin të uleshin pas shpërthimit të një lufte bërthamore.
“Kishte vetëm një vend – Bashkimi Sovjetik. Pjesa tjetër ishin republika socialiste.’ Ish republikat socialiste të Letonisë dhe Estonisë e kuptojnë se sa e brishtë mund të jetë liria.
Por ne?
/abcnews.al