Pse SHBA po e kërcënon Rusinë? Eksperti: Trump e ka një plan, por ende s’e ka të qartë sesa do të godasë

schedule22:58 - 23 Janar, 2025

schedule 22:58 - 23 Janar, 2025

Eksperti i sigurisë Xhavit Shala thotë se ndonëse presidenti i ri amerikan Donald Trump ka bllokuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, janë marrë masa që të vazhdohet lufta.

Kapiteni Artur Meçollari shprehet se Donald Trump po luan me retorikën, njëherë duke kërcënuar Ukrainën dhe më pas Rusinë për t’u ulur në tavolinë e negociatave. Sipas tij, pas kësaj faze, nëse Putin refuzon, ai mund të bëhet përgjegjës për dështimin e negociatave.

Ndërsa eksperti i gjeopolitikës Kreshnik Osmani tha se SHBA po e kërcënon Rusinë pasi është e vetëdijshme për dëmet që ka pësuar. Sipas tij, Amerika e ka një plan, por ende s’ka të qartë sesa do të godasë.

Pjesë nga diskutimi:

Xhavit Shala: Dihej që kjo do të ndodhte. Janë marrë masa për të vazhduar luftën. Sepse kështu i bie se po bën presion që të kapitullojë Ukraina. Po kapitulloi Ukraina, ka kapitulluar Trump.

Dritan Goxhaj: Këtë po bën. Afati i këtij urdhëri është 90 ditë dhe kaq ditë në një luftë të tillë janë shumë.

Xhavit Shala: Janë marrë masa për ta kaluar 90 ditëshin. Trump tha se Evropa duhet të kontribuojë më shumë, dmth ju si Evropë çoni armatim…

Kreshnik Osmani: Dhe Putin nuk ka pranuar zgjidhje të plotë. Trump ka bërë bllokim të shoqëruar me kërcënim, që dmth underground mbështetja vazhdon në forma të caktuara.

Xhavit Shala: Do t’i japë edhe një mesazh Putinit, do të vazhdoj të mos e mbështes luftën në Ukrainë por edhe ti duhet të tërhiqesh. Putin mund të mos ulet në bisedime se është në fitore dhe mund të kërkojë të avancojë.

Artur Meçollari: Po të shikojmë retorikën, fillimisht i bëri presion Ukrainës dhe i tha se nëse nuk pranon të ulesh në negociata unë do të të pres ndihmat. Rusisë vazhdon i bën presion, Trump është i detyruar të luajë rolin e negociatorit deri në konsumimin e këtij statusi. Nuk mundet që ditën e parë të kalojë në masat esktreme. Pasi kalon fazën e negocimit, të cilën me shumë gjasa Rusia, s’do ta pranojë fillojnë masat e tjera. Presidenti Trump në fund të fundit është duke luajtur bllofin.

Artur Zheji: Jo më larg se sot, Trump i kërkoi ndihmë Kinës që të lobojë pranë Putin për të arritur sa më shpejt paqen.

Artur Meçollari: Ky është konsumim i fazës së negocimit.

Dritan Goxhaj: Kjo tregon se nuk ka një plan.

Xhavit Shala: Ai kërkon që të angazhojë edhe aktorë të tjerë për të rritur presionin. Iu bën thirrje edhe vendeve të OPEC për të ulur çmimet e naftës.

Artur Meçollari: Ai është i detyruar të konsumojë këtë dhe në fund t’i thotë Putin je përgjegjës për mosbërjen e negociatave.

Kreshnik Osmani: Tani rreziku është i i afërt sepse po shkojmë drejt shterimit. Më duket më afër se afatet për të dyja palët po shkojnë drejt fundit. E para, Trump ka bërë ofertë dhe për të mbajtur autoritetin e perandorisë amerikane do të bëjë kërcënim të hapur nëse Putin nuk vjen në tavolinë, ndërsa Putin nga ana tjetër, është duke maskuar me kujdes plagën dhe hemoragjinë e tij që t’i thotë Trump nuk do të shkojë në një marrëveshje të dëmshme për Rusinë. Kjo është arsyeja pse SHBA po kërcënon. Amerika ende nuk e ka të qartë sesa do të godasë, por e ka një plan.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!