Pse sanksionet e reja nuk mund ta dëmtojnë seriozisht “fortesën” Rusi

schedule10:17 - 29 Mars, 2021

schedule 10:17 - 29 Mars, 2021

Nga Ruchir Sharma, Financial Times

Kohët e fundit po shtohen zërat dhe presionet për të forcuar sanksionet ekonomike kundër Rusisë, që akuzohet për përdorimin e sulmeve kibernetike, vrasësve dhe provokatorëve të tjerë jashtë vendit, dhe për shtypjen e zërave kundër brenda vendit.

Por ia vlen të rikujtojmë se në një aspekt thelbësor sanksionet e kanë bërë Rusinë më të fortë dhe jo më të dobët. Historia filloi në vitin 2014, kur Rusia pësoi goditjen e dyfishtë të rënies së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, dhe sanksionet perëndimore në kundërpërgjigje të pushtimit rus të Krimesë.

Rusia ishte mësuar me krizat financiare, të cilat sollën edhe rrëzimin e perandorisë së saj sovjetike në vitin 1989, e fundosën 2 herë monedhës kombëtare rublën në vitet 1990, dhe sërish në vitin 2008. Por goditjet e vitit 2014, u dukën se do ta arrinin të bindnin presidentin Vladimir Putin të ndërronte rrugë.

Megjithëse krahasohet shpesh me autokratët e marrë, Putini ka qenë prej kohësh relativisht i kujdesshëm në lidhje me politikën makroekonomike. Pas vitit 2014, ai u bë edhe më mbrojtës ndaj saj, dhe u përqendrua në rikthimin e Rusisë në një fortesë financiare të paprekshme nga presioni i jashtëm, përfshirë sanksionet e Perëndimit.

Dhe për habinë e shumëkujt ai ka pasur në një fare mase sukses. Dikur ndër kombet në zhvillim më të prirura për kriza, tani Rusia është një nga vendet më konservatore dhe më të qëndrueshme. Ndërsa bashkëmoshatarët, si Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë, po bëhen gjithnjë e më shumë joortodoksë në politikën ekonomike, Putini është bërë një model i ortodoksisë.

Shtyllat e fortesës ruse bazohen tek mënyra se si Kremlini e administron buxhetin e tij dhe rublën. Kur pandemia filloi të impononte vendosjen e bllokimeve ekonomike vitin e kaluar, Rusia ishte gati.

Ajo hyri në krizë me borxhin më të ulët qeveritar në mesin e 20 ekonomive më të mëdha në zhvillim, me vetëm 14 për qind të produktit të brendshëm bruto. Gjithashtu,ajo kishte tepricën më të lartë qeveritare, tepricën e katërt më të lartë të llogarisë rrjedhëse, si dhe rezervat e katërta më të mëdha në valutë:rreth 580 miliardë dollarë, nga minimumi prej 350 miliardë dollarësh në vitin 2015.

Shtatë vjet politika monetare konservatore për të kontrolluar inflacionin, i dhanë Bankës Qendrore ruse të gjithë hapësirën e nevojshme ​​për të ulur normat e interesit. Për herë të parë në historinë moderne, Rusia pati mundësinë t’i kundërvihej një krize përmes rritjes së shpenzimeve qeveritare dhe uljes së normave të interesit.

Në vitin 2020 ndihma financiare nga Banka Qendrore dhe qeveria, ishte më e moderuar krahasuar me ekonomitë e tjera të mëdha në zhvillim. Po e tillë ishte edhe rënia që solli pandemia; një tkurrje prej vetëm 3.5 për qind. Sot Rusia është më pak e ndjeshme ndaj presionit të jashtëm sesa ishte në vitin 2014.

Borxhi i qeverisë së saj dhe i huamarrësve privatë ndaj të huajve është i ulët. Dhe burimet që ata kanë për t’i shlyer ato borxhe, qoftë nga të ardhurat nga eksporti apo nga rezervat e huaja, janë të larta. Për shembull, borxhet e huaja afatshkurtra të Rusisë, nuk përbëjnë as 10 për qind të rezervave të saj në valutë, krahasuar me një mesatare prej mbi 30 për qind në vendet në zhvillim.

Gjithashtu, Rusia është më pak e ndërvarur nga tregu global i naftës. Qeveria i ruan fitimet e tepërta kur çmimet e naftës në tregje janë të larta, dhe i shpenzon ato kur çmimet janë të ulëta, duke stabilizuar kësisoj si ekonominë po ashtu edhe rublën.

Sot, monedha kombëtare ruse është më pak e prirur që të lëkundet nga çmimet e naftës, sesa monedhat e eksportuesve të energjisë si Kanadaja dhe Norvegjia. Së fundmi, Kremlini po merret me zëvendësimin të importit.

Rusia iu kundërvu sanksioneve ndërkombëtare, duke bllokuar importet e ushqimit, gjë që e ka gjallëruar ndjeshëm bujqësinë ruse, duke reduktuar varësinë nga furnizuesit e huaj. Bashkë me Kinën, Rusia është një nga të paktat vende që ndihmon fshehurazi gjigantët e brendshëm të internetit, për t’i mbrojtur ata nga konkurrenca perëndimore.

Por e meta e strategjisë së fortesës, është se ajo luan e gjitha në mbrojtje, dhe nuk parashikon asnjë sulm. Putin flet për rritjen ekonomike – e cila mezi shënoi 2 për qind në vit gjatë dekadës së fundit – por nuk po paraqet asnjë plan real për ta realizuar atë.

Që prej vitit 2014, Rusia ka dalë nga lista e 10 ekonomive më të mëdha në botë. Megjithatë, pavarësisht rënies së standardeve të jetesës dhe ekspozimit të skandaleve të korrupsionit shtetëror, sondazhet sugjerojnë se më shumë rusë mendojnë se vendi po lëviz në drejtimin e duhur sesa në atë të gabuar.

Një komb i dërrmuar nga krizat, duket se e vlerëson shumë stabilitetin. Ndaj “fortesa” Rusi është e mirë-ndërtuar për t’i mbijetuar një bote post-pandemike të një de-globalizimi më të madh dhe dixhitalizimi lokal. Në kushtet kur ekonomia globale po përballet me kërcënimet e rritjes më të ngadaltë ekonomike, inflacionit më të lartë dhe tregjeve në ngecje, forca e brendshme është një avantazh kryesor.

Sigurisht, synimi i deklaruar i sanksioneve është të shënjestrojë Kremlinin dhe aleatët e tij, por jo të ndëshkojë popullin rus. Por 7 vite sanksione tashmë e kanë forcuar shumë Kremlinin në raport me presionin e jashtëm. Dhe kjo do të thotë se për të dëmtuar muret e “fortesës” Rusi,do të duhet më shumë sesa thjesht goditja përmes sanksioneve ndërkombëtare. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al