Manchester United arriti marrëveshjen me Jadon Sancho, duke ia dalë të mbyllë me sukses bisedimet e gjatë dhe të lodhshme me Borussia Dortmund.
Klubi gjerman do të përfitojë 85 milion euro + bonuse, teksa sulmuesi i djathtë, i cili rikthehet në Manchester, por tashmë tek United, do të firmosë kontratë 5-vjeçare.
Biznes fantastik për drejtuesit e Dortmund, që shpenzuan vetëm 8 milion euro për kartonin e lojtarit katër vite më parë. Po pse “Djajtë e Kuq” nuk po e prezantojnë akoma?
Trajneri i skuadrës, Ole Gunnar Solskjaer qetëson tifozët me prononcimin e shkurtër: “Kanë mbetur për t’u rregulluar edhe disa detaje të vogla, t’i sistemojmë dhe do zyrtarizohet. Më shumë bëhet fjalë për dokumente, letra dhe procedura të tilla“.
Sancho e mbylli aventurën me verdhezinjtë me 137 ndeshje të zhvilluara, 50 gola dhe plot 64 asiste të dhuruara për shokët e ekipit. /abcnews.al