Pse nuk përfshive Bashën, Bardhin dhe Alibeajn në protestë? Berisha: I këshillova, e dinë vetë

schedule12:37 - 1 Korrik, 2022

schedule 12:37 - 1 Korrik, 2022

Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme me mediat, ndër të tjera ka komentuar edhe përse nuk përfshiu në organizimin e protestës, Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn dhe Gazment Bardhin.

I pyetur nga gazetarët se përse u lanë jashtë, ndërkohë që edhe ata janë qytetarë, Berisha tha se thjeshtë i ka këshilluar dhe zgjedhjen e kanë ata vetë në dorë.

Lexo edhe: Vrasja e Xhuvanit, Berisha: Paplekaj qëlloi për vetëmbrojtje, Bardhi e braktisi

“Ajo ishte një këshillë. Këshilla ka gjithmonë një relativitet të madh. Askush nuk mund të pengohet për të ardhur në protestë. Nëse jap një këshillë në interesin më të mirë të protestës, kjo nuk do të thotë ndalim. Është thjeshtë një këshillë. Po të duan e pranojnë, po të duan nuk e pranojnë”, tha Berisha.

Berisha iu përgjigj gjithashtu pyetjes së gazetarit të ABC Juxhin Mustafaraj nëse do të ndikonte tek protesta hapja e mundshme e negociatave. Ish kryeministri tha se ky vendim nuk do e pengojë protestën, madje do e motivojë.

“Përkundrazi. Do ishte një frymëzim i madh për protestën. PD ka bërë thirrje dhe bën thirrje për hapjen e negociatave.

Po pse? Sepse në procesin e negocimit, fuqia e BE-së do mund të ndihmojë shumë më fuqishëm në rrënimin e regjimeve autokratike

Sot ka një konsensus universal që regjimi i Tiranës është një autokraci elektorale. Prandaj kam bërë dhe do bëj thirrje që BE të hapë negociatat, edhe nëse Maqedonia dhe Bullgaria të mos bien dakord.

Nuk është produktive binjakëzimi. Nuk kam qenë dhe nuk jam as tani. Nuk arrij ta konceptoj. Vendet janë vende të pavarura dhe të veçanta.

Le të urojmë se vendimi i Bullgarisë t’i japë përgjigjen më të mirë dhe të shpresojmë që edhe Maqedonia e Veriut të arsyetojë se zhbllokimi i procesit ka qenë një vullnet i mirë. Hapja e negociatave do e motivojë edhe më shumë protestën,” tha Berisha. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!