Futbolli është një ndër sportet që dominohet nga bota e djemve, por ka edhe shumë vajza që e kanë pasion. Më të fundit janë vajzat e ekipit të Murlanit, që vijnë ngë Barbullushi i Shkodrës.
Të ftuara në emisionin “ABC e Mëngjesit”, Ana Kola, Elsaida Mucejani dhe Paula Jaku kanë treguar eksperiencën e tyre, nga emri i ekipit, paragjykimet dhe çfarë kanë ndaluar së bëri që në momentin që kanë nisur të merren me futboll.
“Duke qenë se Murlan është në një fshat të Shkodrës, në Barbullush, atje frynë një erë shumë e madhe e njohur si murlan dhe ne kemi marrë emrin.
Barbullushi nuk ka vetëm një skuadër vajzash, ka edhe një ekip djemësh. Në një të ardhme mund të jetë një ekip rival i Vllaznisë”, tha Paula.
Më tej ajo theksoi edhe paragjykimet që ka hasur: “Do martohesh, do fejosh dhe nuk do të marri askush. Ka edhe anën pozitive se zakonisht kur nuk na njohin dhe i themi me futbolli hapin sytë dhe surprizohen”.
“Unë e kam filluar shumë vonë 16 vjeç, e kam pasur shumë qejf, por babi ka pasur frikë se mos vritesha”, tha Ana.
“Unë kam 17 vite që merrem me futboll, por në fillim kam pasur motrën. Ajo ka pasur më shumë paragjykime. Më shumë fillojnë të afërm, si për shembull axha i cili më thotë pse nuk rri me nanën ta ndihmosh me punën e shtëpisë”, tha Elsaida.
“Ne jemi edhe studente, unë jam në shkollë për edukimin fizik, ndërsa anën e kemi studente për polici.
Në fakt thonjtë nuk lejohen ti bësh, zakonisht nuk lejohen as kapset e flokëve. Sa më thjeshtë, nuk lejohen bizhuteritë”, përfundoi Paula./abcnews.al