Pse njerëzit hezitojnë të vaksinohen kundër Covid?

schedule09:43 - 22 Tetor, 2021

schedule 09:43 - 22 Tetor, 2021

The Conversation

Vaksinat shpëtojnë jetë, dhe e kanë bërë që nga zhvillimi i vaksinës së lisë më shumë se 200 vite më parë. Megjithatë, që popullsia të jetë e mbrojtur, duhet të vaksinohet shumica e njerëzve. Vetëm në këtë mënyrë, mund të arrihet “imuniteti i tufës”.

Fatkeqësisht, nuk ndodh shumë shpesh diçka e tillë. Hezitimi rreth vaksinës së fruthit, për shembull, kontribuoi në një rritje prej 30% të rasteve globalisht në vitin 2019, raporton abcnews.al

Pra, pse njerëzit hezitojnë të vaksinohen? Ka shumë arsye, dhe këto ndryshojnë midis njerëzve. Një nga faktorët kryesore të skepticizmit është frika nga vdekja dhe si e menaxhojmë atë frikë.

Normat e vaksinimit po rriten, por frika ende ekziston

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, hezitimi ndaj vaksinave është një nga dhjetë kërcënimet kryesore për shëndetin global. Në rastin e COVID-it, refuzimi ose vonesa e vaksinimit ka qenë një problem i rëndësishëm, me marshimet kundër vaksinave dhe lirisë që kanë dominuar ciklet e lajmeve gjatë muajve të fundit. Në Australi, çështja e hezitimit të vaksinave mbetet e rëndësishme, pavarësisht disa raporteve për të kundërtën.

Frika nuk është zvogëluar ndjeshëm. Në vend të kësaj, vaksinimi i detyrueshëm i grupeve të caktuara në komunitet dhe disavantazhet e rëndësishme për ata që refuzojnë të vaksinohen, po nxit rritjen e marrjes së vaksinave.

Në disa shtete australiane, vaksinimi është bërë i detyrueshëm për punonjësit shëndetësore, mësuesit, punëtorët e ndërtimit,  punonjësit e kujdesit për të moshuarit dhe grupe të tjera. Për më tepër, politikanët kanë parashikuar liri të ndryshme për të vaksinuarit. Për shembull, liritë që u ofrohen aktualisht banorëve të Sidney plotësisht të vaksinuar, por jo të pavaksinuarve, përfshijnë: vizitat në shtëpinë tuaj dhe aksesin në palestra, pishina, dyqane me pakicë, parukieri, bare, kopshte zoologjike, kinema, teatro, muze dhe galeri.

Nëse njerëzit nuk do të hezitonin  të vaksinoheshin, nuk do të ishin të nevojshme stimujt për vaksinimin e detyrueshëm. Një pjesë e konsiderueshme e komunitetit nuk dëshiron të vaksinohet dhe do të zgjidhte të mos vaksinohej, nëse nuk do të detyroheshin nga qeveria, raporton abcnews.al

Pse njerëzit refuzojnë të vaksinohen?

OBSH rendit vetëkënaqësinë një ndër arsyet kryesore për hezitimin e vaksinave. Në fund të fundit, COVID tashmë ka vrarë gati pesë milionë njerëz në mbarë botën dhe ka infektuar mbi 240 milionë. Përballë këtyre shifrave, si mund të jetë dikush i vetëkënaqur?

Teoria psikologjike që shpjegon më së miri këto sjellje është ” teoria e menaxhimit të terrorit “. Sipas kësaj teorie, njerëzit nuk janë në gjendje të përballen me realitetin e zymtë të vdekjes dhe shpesh përfshihen në forma të ndryshme mohimi. Ne e shohim veten më madhështorë se kafshët, imunë ndaj shumë problemeve të tyre dhe të destinuar për pavdekësi me perënditë tona.

Kur flasim për vdekjen, shumë persona tregojnë agresion ndaj atyre me ideologji të ndryshme politike ose fetare.  Ne kapemi pas “drejtësisë” dhe “specialitetit” tonë për të ndihmuar në zbutjen e terrorit  ndaj vdekjes.

Në këtë proces, ne mund të sfidojmë paralajmërimet e mjekësisë moderne, të bindur për epërsinë tonë. Studiuesit në Shkollën Hyjnore të Universitetit të Çikagos raportuan se gjysma e pjesëmarrësve të tyre, me përkatësi të ndryshme fetare, ranë dakord me deklaratën “Zoti do të na mbrojë nga infektimi”. Për të përballuar frikën tonë nga vdekja, ne mashtrojmë veten duke menduar se jemi të pavdekshëm: vdekja mund t’u ndodhë njerëzve të tjerë, por jo mua.

Ky efekt mund të  rritet edhe më  shumë nëse edhe grupet shoqërore të cilave ne i përkasim mbështesin pikëpamje të ngjashme.  Mendimet rreth vdekjes i bëjnë njerëzit të mbrojnë me forcë vlerat dhe besimet e grupit të tyre.

Në kontekstin e COVID-it, kjo do të thotë se ne mund të bëhemi më individualistë, më mosbesues ndaj shkencës ose qeverisë, ose të besojmë më shumë në aftësinë e Zotit për të na mbrojtur. Të jetosh në epokën e COVID na ka bërë të gjithëve pjesëmarrës në një eksperiment të psikologjisë sociale.

Hezitimi ndaj vaksinave do të mbetet një problem urgjent global, ndërkohë që ne refuzojmë ta shohim veten për atë që jemi në të vërtetë. Ndërsa COVID vazhdon të përhapet dhe të pësojë mutacion, vaksinimi do të mbetet e vetmja çështje urgjente gjatë viteve të ardhshme.

Hezitimi ndaj vaksinave do të vazhdojë të vrasë dhjetëra mijëra në mbarë botën.

/abcnews.al