Pse në fund programi i vaksinimit në Evropë do jetë një histori suksesi

schedule10:31 - 7 Prill, 2021

schedule 10:31 - 7 Prill, 2021

Nga Joshua Livestro, Politico.eu

Për muaj me radhë, qytetarët e Bashkimit Evropian kanë parë me zili atë që po ndodhte përtej Atlantikut. Presidenti i SHBA-së Joe Biden vendosi jo vetëm një synim ambicioz për vaksinimet kundër koronavirusit:mesatarisht 1 milion vaksinime në ditë gjatë 100 ditëve të tij të para në detyrë.

Ai premtim është mbajtur, dhe tani ai premton të përshpejtojë ritmin me 2 herë. Sikur evropianëve t’u jepej arsye e ngjashme për të pasur shpresë! Në fakt, ata i kanë të gjitha mundësitë. Mjafton që dikush të lidhë pikat dhe të rrëfejë historinë.

Pasi nëse shikoni shifrat, BE nuk po bën aspak keq. Pavarësisht dramës dhe pasigurive në lidhje me vaksinën AstraZeneca, Gjermania ka vaksinuar kohët e fundit më shumë se 250.000 njerëz në ditë. Kur dikush llogarit ndryshimin në popullsi, është ekuivalenti i një vendi me madhësinë e SHBA-së që vaksinon 1 milion njerëz në ditë.

Italia dhe Holanda po ecin edhe më mirë – më afër ekuivalentit të SHBA-së prej 1.5 milion vaksinimesh në ditë. Madje edhe Franca po i afrohet ekuivalentit të Biden, me premtimin e fundit për 2 milion vaksinime në ditë.

Në tërësi, BE-ja është duke e përmbushur premtimin fillestar të Biden prej 1 milion vaksinime në ditë. Ka shumë arsye pse e ardhmja e këtij procesi do të jetë edhe më e mirë. BioNTech/Pfizer ka thënë se do të jetë në gjendje të dorëzojë mbi 10 milion vaksina më shumë sesa mbi 200 milion doza për të cilat ishte rënë dakord fillimisht për 3-mujorin e dytë të këtij viti.

Kjo do të thotë që edhe nëse AstraZeneca dështon plotësisht të mbajë premtimet për 3-mujorin e ardhshëm, Komisioni Evropian do të jetë ende në gjendje që të arrijë synimin e tij për shpërndarjen e 300 milion vaksinave tek vendet anëtare.

Këtu do të përfshihen 55 milion vaksinat me një dozë të vetme Johnson & Johnson të miratuara së fundmi nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Dhe kush e di, mbase edhe AstraZeneca do të arrijë deri atëherë të jetë në kapacitet të plotë për të prodhuar sa më shumë vaksina.

Tani për tani, vlerësimi realisht pesimist është se kjo kompani do të dërgojë në rastin më të mirë 80 milion nga 180 milion dozat e premtuara për 3-mujorin e dytë. Shpejtësia e programit të vaksinimit në BE, ka të ngjarë që të forcohet ndjeshëm.

Shkalla mesatare ditore e vaksinimit synohet të dyfishohet, në ekuivalentin e SHB-së prej 2 milion vaksinimesh në ditë, duke nisur nga mesi i këtij muaji, dhe më pas do të shtohet me 1 milion në ditë në muajin maj. Jo më kot ministrat evropianë të Shëndetësisë, kanë filluar të jenë gjithnjë e më të sigurt për vaksinimin me të paktën njërën nga dozat të të gjithë popullatës së rritur deri në fillim të korrikut.

Në fillim të këtij viti, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, prezantoi në Bruksel një objektiv të madh:70 për qind e popullsisë së rritur e vaksinuar “deri në verë”. Blloku ka pasur gjithmonë të ngjarë që të përmbushte këtë objektiv. Tani një llogaritje e thjeshtë matematikore tregon se në thelb është e garantuar.

Rreth 100 milion vaksina ishin shpërndarë deri në fund të marsit. Shtojini këtyre 380 milion vaksina që do të mbërrijnë gjatë 3-mujorit dytë, dhe kjo do të thotë që nga mesi i korrikut, rreth 270 milion qytetarë të BE-së mund të vaksinohen plotësisht – ose afërsisht 70 për qind e 380 milion të rriturve në union.

Kjo llogaritje supozon se qytetarët do të marrin vetëm 80 milion doza nga AstraZeneca, dhe  55 milion doza të vaksinës me një dozë të vetme Johnson & Johnson. Dhe çdo prodhim shtesë, do ta shpejtonte në mënyrë të konsiderueshme këtë proces. Kandidatja më e mundshme në këtë rast është vaksina mRNA e kompanisë bioteknologjike gjermane CureVac, të dhënat e testeve klinike të së cilës janë duke u shqyrtuar tashmë nga EMA.

Por pavarësisht të gjitha dozave që pritet të mbërrijnë, nuk mund të imagjinohet që BE-ja ta përfundojë vaksinimin e të gjithë popullsisë së saj të rritur përpara Britanisë së Madhe. Për të përdorur figuracionin e Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel:Ndërsa Britania e Madhe ka të ngjarë ta përfundojë maratonën e saj të vaksinimit duke u zvarritur, BE do të vrapojë më shpejt drejt finishit.

Ajo që mungon është mënyra e duhur për të komunikuar këtë lajm të mirë. Në thelb strategjia e përshkruan vetveten:Vendosni një objektiv ditor të vaksinimit në të gjithë BE-në, le të themi 100 milion vaksinime në 50 ditë. Po kjo do të jetë e lehtë për t`u arritur, por pse të ngatërrohemi me formulën që funksionoi aq mirë për Joe Biden?

Çdo media në Evropë do të përqendrohet në këtë shifër. Dhe ndërsa shkalla mesatare ditore e vaksinimit po rritet, dhe objektivi duket gjithnjë e më i afërt, ato do të përmbysin tregun me lajme të mira. Pra, mjaft më me diskutime mbi katastrofën.

Është koha të mos bërtitet se kush dështoi, apo se kur dhe ku do të blihet numri i duhur të vaksinave. Evropa po përballet me një krizë serioze shëndetësore. Njerëzit kanë nevojë që udhëheqësit e tyre t’u japin atyre shpresë dhe t’i frymëzojnë me besim.

Strategjia e vaksinimit të BE-së ka filluar të ketë sukses, prandaj duhet filluar të flitet mbi realitetin që po ndodh. Vetëm, ju lutem jo ​​shumë entuziazëm. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!